Pas aferës së narkotikëve, respektivisht pasi në Serbi u sekuestruan pesë tonë marihuanë, për të cilat ekziston dyshimi se janë nxjerrë nga një kompani maqedonase që kishte licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor, sërish u hap çështja e funksionimit të këtyre kompanive dhe kontrollit mbi punën e tyre.

Për këtë arsye, pyetëm Qeverinë se sa kompani gjithsej kanë një licencë të tillë.

– Ju informojmë se në periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope (i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë më 27.12.2017) deri më 3 shkurt 2026, Qeveria ka marrë vendime për dhënien e lejes për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për 61 persona juridikë – na u përgjigjën nga Qeveria.

Në pyetjen se sa prej këtyre kompanive janë aktualisht aktive dhe sa prej tyre u janë hequr licencat, morëm këtë përgjigje:

– Në Maqedoni aktualisht janë 43 persona juridikë që kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore. Qeveria, deri më tani, ka marrë vendime për heqjen e lejes për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për 14 persona juridikë, për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore. Gjithashtu, ju informojmë se është në proces procedura për heqjen e lejeve për edhe 4 persona juridikë – u përgjigjën nga Qeveria për “Fokus”.

Ivan Dragniq, një nga shtetasit serbë që u arrestua në aksionin e madh policor në Serbi për pesë tonë marihuanë, për të cilat dyshohet se janë futur nga Maqedonia, ka një kompani në Shkup, respektivisht është bashkëpronar me edhe tre shtetas serbë.

Bëhet fjalë për kompaninë ALPHAPHARM GROUP DOO Shkup, e cila është themeluar në vitin 2023 me kapital themeltar prej 529.050 euro. Kompania është e regjistruar për kultivimin dhe përpunimin e bimëve aromatike, erëzave dhe bimëve mjekësore për përdorim farmaceutik.

Megjithatë, nga të dhënat e Regjistrit Qendror rezulton se kompania nuk ka pasur performancë të mirë financiare, pasi operon me humbje. Të dhënat e fundit janë për vitin 2024, kur kompania ka raportuar humbje mbi 8 milionë denarë.

“Fokus” ka siguruar gjithashtu informacion se më 16 prill 2024, në Gazetën Zyrtare është publikuar se kjo kompani ka marrë pëlqim për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com