Urim Saliu-Tetovasot
Kur i sheh romët duke protestuar, si një nga kategoritë më të përjashtuara shoqërore në Maqedoninë e Veriut, të krijohet përshtypja e rreme sikur popujt e tjerë në këtë vend jetojnë si në përralla. Në fakt, realiteti është krejt tjetër.
Protestat e fundit të romëve u interpretuan nga një pjesë e opinionit si revoltë për rregulla më të ashpra në komunikacion dhe për mungesën e lejeve të vozitjes. Por problemi i tyre nuk është thjesht një patentë shoferi. Ajo është vetëm pasojë e një zinxhiri të gjatë padrejtësish.
Ata nuk protestojnë vetëm pse nuk kanë leje vozitjeje. Protestojnë sepse nuk kanë shkollim të mjaftueshëm, sepse nuk kanë vende pune, sepse jetojnë në kushte që e bëjnë mbijetesën përditshme një betejë të vërtetë. Protestojnë për një jetë që, në shumë raste, i ngjan më shumë realitetit social të përshkruar në romanet e Charles Dickensit sesa një shoqërie evropiane që pretendon demokraci funksionale.
Natyrisht që rendi dhe siguria në komunikacion janë të domosdoshme. Ligjet duhet të zbatohen dhe askush nuk mund të jetë mbi to. Por është hipokrizi të kërkosh disiplinë të rreptë nga njerëz që jetojnë buzë ekzistencës, që e kanë kthyer shikimin drejt humnerës sociale, pa i krijuar më parë kushtet minimale për një jetë dinjitoze.
Kur romët bllokojnë rrugët sot, në thelb ata nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë të drejta elementare që duhet t’i kishin prej kohësh pra arsim real dhe të qasshëm, punësim, qasje në shërbime publike dhe trajtim të barabartë nga institucionet.
Por paradoksi më i madh është se shumë nga këto të drejta, për të cilat sot protestojnë romët, nuk i gëzojnë plotësisht as shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Edhe shqiptarët, në shumë segmente të jetës institucionale, vazhdojnë të përballen me pabarazi reale në punësim, përfaqësim dhe qasje në shërbime publike.
Prandaj, protestat e fundit të romëve nuk janë një “problem trafiku”. Ato janë alarm social. Janë dëshmi se nyja e fundit që duhet zgjidhur për të folur për demokraci të vërtetë në këtë vend, nuk janë vetëm ligjet e reja dhe kamerat nëpër rrugë, por drejtësia sociale, barazia reale dhe mundësia që çdo qytetar rom, shqiptar apo maqedonas të mos jetojë më në kufijtë e mbijetesës.