Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Prof. Dr. Jeton Shasivari, ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të Ministrisë së Drejtësisë për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në një opinion publik dhënë agjencisë së lajmeve INA, Shasivari e ka cilësuar përgjigjen e ministrit Igor Filkov si “njohje të cekët të materies” dhe “rrenë me bisht” pretendimin se ligji nuk e lejon përdorimin e gjuhës shqipe.
Ligji nuk e ndalon, Ministri e bllokon me Rregullore
Sipas Prof. Shasivarit, as Ligji i vitit 2019 dhe as Rregullorja aktuale nuk e përcaktojnë gjuhën maqedonase si të vetmen mënyrë për dhënien e provimit. Përkundrazi, ai sqaron se:
• Kompetenca është e Ministrit: Neni 14 i ligjit e ngarkon ministrin që të përcaktojë mënyrën e dhënies së provimit përmes rregulloreve.
• Certifikatat janë dygjuhëshe: Rregullorja e vitit 2020 parashikon që certifikata e provimit të hartohet edhe në gjuhën shqipe për kandidatët shqiptarë.
“Është rrenë me bisht pohimi i Ministrit Filkov se ligji nuk përmban dispozita për gjuhë tjetër, kur në fakt as ligji e as rregullorja nuk e përmendin fare gjuhën maqedonase si kusht për mënyrën e mbajtjes së provimit,” shprehet Shasivari.
Gabimi i qëllimit të provimit
Shasivari argumenton se qëllimi i jurisprudencës është testimi i njohurive profesionale juridike dhe jo i shkathtësive gjuhësore të maqedonishtes, siç pretendon Ministria. Ai shton se njohja e gjuhës dëshmohet me certifikata të tjera dhe nuk mund të shërbejë si barrierë për testimin profesional.
Krahasimi me rajonin dhe botën
Duke goditur “murin ndaj gjuhës shqipe”, profesori sjell shembuj ndërkombëtarë ku provimet e shtetit jepen në shumë gjuhë:
• Kosova: Shqip dhe serbisht.
• Zvicra & Belgjika: Në tri gjuhë zyrtare.
• Kanadaja: Anglisht dhe frëngjisht.
• Izraeli: Hebraisht dhe arabisht.
“Ministri humbi mundësinë për barazi”
Shasivari vë në dukje se ministrat e tjerë të kësaj qeverie, si ai i Brendshëm dhe i Shëndetësisë, kanë bërë hapa kolosalë për dygjuhësinë në gjobat e trafikut dhe provimet administrative. Ai paralajmëron se refuzimi arbitrar i Filkovit do të mbetet gjatë në kujtesën e 385 studentëve shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e drejtë që ka ekzistuar pjesërisht edhe në ligjet e vitit 1976.
“Shumë shpejt do të vijë dita kur procedurat gjyqësore do të udhëhiqen edhe në gjuhën shqipe në Tetovë, Shkup e Gostivar, e mbase nga vetë këta studentë që sot po privon ministri,” përfundon Shasivari.
Mgid