Shkup: Tre persona të dyshuar për lidhje terroriste dhe armatosje ilegale – policia sekuestron arsenal armësh
Më 06.02.2026, Sektori për Luftë kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), të gjithë nga Shkupi, për vepra penale “bashkim kriminal”, të paraparë dhe të dënueshëm sipas nenit 394 paragrafi 1, si dhe “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose mjete shpërthyese”, sipas nenit 396 të Kodit Penal.
Në kuadër të procedurës paraprake hetimore është konstatuar se ekziston dyshim se këta persona janë organizuar me qëllim hakmarrjeje për vëllezërit e tyre, të cilët gjatë vitit të kaluar janë akuzuar dhe dënuar për veprën penale “organizatë terroriste”. Sipas provave të deritanishme, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si grup me orientim të përbashkët ideologjik, të bazuar në narrativa radikale islamiste. Dyshohet se janë ndërmarrë aktivitete për mbledhjen e mjeteve financiare nga vendi dhe jashtë tij, për të cilat ekziston dyshim se janë përdorur për propagandë dhe aktivitete të Shtetit Islamik, si dhe për furnizim me armë.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, dhe nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, dje zyrtarë policorë kanë kryer bastisje në shtëpi dhe ambiente të tjera në disa lokacione në Shkup. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me dy karikatorë dhe 44 fishekë, dy pistoleta me tre karikatorë dhe 14 fishekë, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, një bombë dore tymuese, municion i llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe materiale të tjera provuese.








