Nga Sefer SELIMI
Strategjia politike e VMRO-DPMNE-së nën udhëheqjen e Hristijan Mickoskit mund të lexohet si një arkitekturë e qëllimshme veprimi e ndërtuar mbi tri instrumente komplementare: thjeshtësinë operacionale, mbingarkesën tematike dhe orientimin afatgjatë për rikonfigurimin e marrëdhënieve të pushtetit dhe në dobësimin gradual të mekanizmave mbrojtës të rendit kushtetues dhe multietnik.
Së pari, dimensioni i “thjeshtësisë” konsiston në një mekanizëm politik të zhvendosjes së përgjegjësisë (blame shifting). Sa herë që preken të drejtat e shqiptarëve, Marrëveshja e Ohrit apo parimet e barazisë etnike përgjegjësia politike transferohet te partnerët e koalicionit VLEN ndërsa debati publik hidhet brenda kampit politik shqiptar. Kjo prodhon dy efekte të njëkohshme: nga njëra anë, e mbron qendrën e vendimmarrjes nga kostoja politike e vendimeve; nga ana tjetër, fragmenton reagimin politik shqiptar duke e shndërruar konfliktin nga një çështje strukturore shtetërore në një përplasje të brendshme inter-etnike brenda kampit politik shqiptar. Në këtë kuptim, “thjeshtësia” nuk është varfëri strategjike por reduktim i qëllimshëm i kompleksitetit politik në një skemë funksionale të menaxhimit të krizave. Kjo i shërben posaçërisht si mbulesë politike në raport me faktorin ndërkombëtar.
Së dyti, instrumenti i “mbingarkesës tematike” funksionon si teknikë e shpërqendrimit sistematik të vëmendjes publike. Hapja njëherësh apo në intervale të shkurtra kohore e shumë çështjeve ligjore, institucionale, identitare, ekonomike apo gjeopolitike që kanë ndjeshmëri të lartë krijon një mjedis informativ të mbingarkuar ku asnjë temë nuk arrin të konsolidohet si bosht qendror i debatit publik. Në këtë kontekst, reagimi kritik i opozitës, i shoqërisë civile dhe i intelektualëve humb koherencën strategjike dhe shndërrohet në “zhurmë” diskursive. Ky është një model klasik i qeverisjes përmes lodhjes së publikut dhe relativizimit të skandaleve, jo duke i mohuar ato por duke i kthyer në fluksa të pandërprera krizash të vogla dhe temash konkurruese.
Së treti, komponenta “afatgjatë” e kësaj strategjie është ndoshta më problematikja në aspektin strukturor. Ndërkohë që në planin afatshkurtër prodhohen dëme serioze në balancën e pushteteve, në funksionimin institucional dhe në arkitekturën e marrëveshjeve ndëretnike, çmimi real i këtyre politikave shtyhet përnë të ardhmen. Kjo do të thotë se qeverisja aktuale konsumon kapitalin politik dhe institucional të shtetit, ndërsa përgjegjësia për “riparimin” e sistemit u lihet aktorëve të ardhshëm politikë. Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj qasjeje është rikthimi ciklik në çështje që teorikisht duhej të ishin të mbyllura: gjuha, përfaqësimi, simbolet dhe vetë parimet e bashkëjetesës politike dhe ndëretnike.
Në thelb, kjo strategji nuk synon thjesht vetëm menaxhimin e përditshëm të pushtetit por një riformatim gradual të terrenit politik, ku konfliktet strukturore normalizohen, standardet institucionale relativizohen dhe barazia politike shndërrohet nga parim kushtetues në objekt negociimi të përhershëm. Në këtë kuptim, problemi nuk është vetëm një seri vendimesh të gabuara politike por një logjikë e qëndrueshme qeverisëse që prodhon regres institucional si gjendje “normale” të sistemit.