Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Samitin botëror të qeverive në Dubai, u takua me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Gi Parmelan, në të cilin, siç njofton Kabineti i saj, u riafirmua niveli i lartë i partneritetit midis dy vendeve, i cili bazohet në miqësi, besim dhe respekt të ndërsjellë.

Presidentja Siljanovska Davkova shprehu besim në thellimin e mëtejshëm të dialogut politik në nivelin më të lartë dhe i dërgoi ftesë për një vizitë zyrtare presidentit Parmelan. Ajo gjithashtu falënderoi për ndihmën e projekteve në fusha të ndryshme, duke e bërë Zvicrën ndër donatorët më të mëdhenj bilateralë në vendin tonë.

“Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes që Zvicra ofron për përcaktimet strategjike të vendit tonë, e cila, sipas saj, tregon përkushtimin zviceran ndaj stabilitetit, zhvillimit dhe të ardhmes evropiane të rajonit tonë. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rëndësinë e komunitetit të madh maqedonas në Zvicër si një fije e rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, shtohet në komunikatë.

Presidentja bëri thirrje për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të tregtisë, duke përfshirë rritje të investimeve të drejtpërdrejta zvicerane.

“Siljanovska Davkova shprehu ngushëllimet e saj për tragjedinë në klubin e natës Kran Montana në natën e Vitit të Ri dhe humbjen e jetëve njerëzore, si një kujtesë e tmerrshme e tragjedisë në Koçani, e cila la plagë të përhershme në shoqërinë maqedonase”, theksohet në kumtesën e Kabinetit të saj.

Dy presidentët shkëmbyen gjithashtu opinione lidhur me zhvillimet aktuale globale.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com