Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të planit për të legalizuar rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente dhe azilkërkues, duke theksuar se vendi i tij po zgjedh rrugën e “dinjitetit, komunitetit dhe drejtësisë”.

Qëndrimi i tij u bë publik përmes një videoje 46-sekondëshe, të publikuar në rrjetet sociale, ku Sánchez flet në anglisht me titra në spanjisht, shkruan Guardian.

Në mesazhin e tij, Sánchez vuri në pikëpyetje akuzat se qeveria ka “shkuar shumë larg”, duke pyetur: “Kur u bë njohja e të drejtave diçka radikale? Kur u bë empatia diçka e jashtëzakonshme?”. Deklarata erdhi vetëm pak ditë pasi qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët miratoi një dekret që synon të rregullojë statusin ligjor të gjysmë milioni personave, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill.

Nisma ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi përfaqëson një distancim të qartë nga politikat dhe retorika anti-emigracion që po përhapen në shumë vende të Europës dhe SHBA-së. Sipas Sánchez, plani do të ofrojë një rrugë të rregullt drejt qëndrimit për persona që tashmë janë pjesë e shoqërisë spanjolle.

“Janë gjysmë milioni njerëz me të cilët jetojmë çdo ditë: në treg, në autobus, në shkollën e fëmijëve tanë. Njerëz që kujdesen për prindërit tanë, punojnë në fusha dhe kanë ndërtuar, krah për krah me ne, përparimin e vendit”, u shpreh ai, duke theksuar se Spanja mbetet një vend mikpritës.

Dekreti e ka origjinën nga një nismë qytetare e mbështetur nga mbi 700 mijë firma, Kisha Katolike dhe rreth 900 organizata sociale, e dorëzuar në parlament në vitin 2024. Pas muajsh bllokimi, marrëveshja u zhbllokua javën e kaluar, kur partia e majtë Podemos ra dakord të mbështesë planin në këmbim të mbështetjes parlamentare për qeverinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume