Te dy pjesëtarë nga ushtarët profesionistë të sapopranuar është evidentuar një rast i sëmundjes së lëkurës skabies, e njohur në publik si zgjebe.
Pas diagnostikimit, personat janë izoluar dhe janë dërguar për trajtim shtëpiak, në përputhje me protokollet shëndetësore në fuqi. Menjëherë janë ndërmarrë masa përkatëse parandaluese me qëllim të parandalimit të përhapjes së mundshme të sëmundjes.
Gjithashtu, është realizuar mbikëqyrje epidemiologjike nga persona profesionistë të Qendrës Mjekësore Ushtarake, duke vepruar sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të tyre profesionale.
Nga ARM për TV24 informojnë se, para pranimit të ushtarëve profesionistë dhe fillimit të trajnimit, janë siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për akomodim, qëndrim, jetë dhe punë në njësi.
Po ashtu, theksohet se Ushtria vazhdimisht ndërmerr masa parandaluese dhe kundër-epidemike për mbrojtjen e shëndetit të personelit ushtarak.