Një tentativë për arratisje që mund të ishte shndërruar në tragjedi ka ndodhur pasditen e djeshme në Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës, ku një shtetas 42-vjeçar ka përfunduar në pranga pas një përplasjeje me autoritetet.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 17:20, kur shtetasi G. K., banues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, po tentonte të dilte nga territori i Shqipërisë me automjetin e tij. Gjatë procesit të regjistrimit, punonjësit e Policisë i kanë kërkuar 42-vjeçarit që mjeti i tij t’i nënshtrohej një kontrolli më të imtësishëm në “vijën e dytë”, por ky urdhër është pritur me agresivitet nga drejtuesi.

​Në tentativë për t’i shpëtuar verifikimit, G. K. ka kundërshtuar urdhrin e forcave të rendit dhe ka shtypur gazin duke tentuar të largohej me shpejtësi, veprim ky që ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën e efektivëve të policisë në detyrë. Falë reagimit të menjëhershëm, është bërë i mundur ndalimi dhe arrestimi i tij në flagrancë.

Përveç prangosjes së autorit, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe automjetin me të cilin ai lëvizte. Mbi 42-vjeçarin rëndojnë tashmë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com