Thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në në fokus të takimeve të kryetarit të Kuvendit, Gashi, në Uashington
Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, partneriteti strategjik mes dy vendeve dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit transatlantik, ishin konfirmuar në takimet të cilat i realizoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në kuadër të vizitës së punës në Uashington.
Siç informon shërbimi për informim i Kuvendit, Gashi u takua me Daniel Xh. Loton, zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
“Në këtë takim u riafirmua partneriteti i palëkundur ndërmjet dy vendeve, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, angazhimin për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar. Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe rolin konstruktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kryetari Gashi informoi mbi përpjekjet e vazhdueshme për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në procesin e reformave”, bëhet e ditur në kumtesë.
Gashi në takim u shoqërua nga nënkryetarët e Kuvendit, Antonio Milloshoski dhe Jovan Mitreski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga Ministri Stefan Andonovski, Zlatko Pirinski dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.
Pas takimeve në Uashington, kryetari i Kuvendit, Gashi pati edhe një takim miqësor me Filip Riker, ish-ambasador i SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mik i dëshmuar i vendit, me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit politike dhe thellimin e partneritetit strategjik me SHBA-në.