Një ngjarje e rëndë ka tronditur ujërat e Detit Egje mëngjesin e sotëm, ku 15 emigrantë, mes tyre 11 burra dhe 4 gra, kanë humbur jetën pas një përplasjeje me anijen e rojës bregdetare greke pranë ishullit grek të Hios.

Sipas zyrtarëve grekë, incidenti ndodhi ndërsa autoritetet po tentonin të ndalonin një mjet lundrues që transportonte emigrantë drejt territorit grek.

Një zyrtar i rojës bregdetare deklaroi se shkak për aksidentin u bënë manovrat e rrezikshme të trafikantëve, të cilët tentuan të godisnin anijen zyrtare për t’i shpëtuar kontrollit. Përveç viktimave, ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin nga deti 25 persona të tjerë, mes të cilëve 12 fëmijë dhe një grua shtatzënë, të cilët u dërguan menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e ishullit.

Në operacionin e gjerë kërkim-shpëtimi po marrin pjesë anije private, zhytës dhe mjete të rojës bregdetare, ndërkohë që dy efektivë grekë mbetën gjithashtu të lënduar nga përplasja. Ky incident vjen në një kohë kur Greqia po përballet me kritika të ashpra ndërkombëtare për politikat e saj të rrepta kufitare, ndërsa vdekja e emigrantëve pranë ishullit të Hios rikthen edhe një herë vëmendjen te tragjeditë e vazhdueshme në rrugët detare drejt Evropës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com