Në kuadër të aktiviteteve të veta për komunikim me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Avokati i Popullit z. Faton Selami u takua me znj. Rita Columbia, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takim u diskutua për rëndësinë e Institucionit të Avokatit të Popullit, si një nga institucionet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, si dhe për sfidat aktuale me të cilat përballet ky institucion. Me këtë rast, theks i veçantë u vendos edhe në nevojën për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Avokatin e Popullit me qëllim përmbushjen e plotë të Parimeve të Parisit dhe marrjen e statusit A.

Avokati i Popullit Mr. Faton Selami theksoi se në periudhën e ardhshme do të punojë me intensitet për përmirësimin e statusit të institucionit, para së gjithash në pjesën e ndryshimeve të nevojshme ligjore. Ai falënderoi për mbështetjen që institucioni e merr nga zyra e OKB-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht potencoi se mbështetja dhe angazhimi i kësaj zyre për ndryshimet ligjore është me rëndësi të madhe.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan gjithashtu se në periudhën e ardhshme duhet të punojnë së bashku, me qëllim që rekomandimet e fundit të Rishikimit Periodik Universal që kanë të bëjnë me Avokatin e Popullit të zbatohen dhe institucioni edhe në praktikë ta fitojë pavarësinë funksionale, financiare dhe kadrovike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume