Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se tani pritet që Grupimi Parlamentar i LVV ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, që sipas saj është i paligjshëm.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” tha Haxhiu.

Ajo theksoi se nëse ka dekret për shpërndarjen e Kuvendit, Kuvendi nuk mund të vazhdojë punën.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu u shpreh se vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin ka qenë surprizë për të, derisa e cilësoi si të hap të ngutshëm nga ana e Osmanit.

“Vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues e i ngutshëm. Kushtetua parasheh rrethanat se kur shpërndahet Kuvendi, në këtë aspekt nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit ta shpërndajë Kuvendin”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit shtoi se presidenca nuk mund të jetë mbi Kuvendin dhe se deputetët nuk duhet të gëzojnë nga një vendim i tillë.

“Deputetët duhet të braktisin këto forma të tyre që pamundësojnë konstituimin e institucioneve. E nisëm mirë e mbarë dhe doli dekreti dhe jemi në një situatë të tillë”, u shpreh Haxhiu.

Në fund, Haxhiu bëri thirrje për qetësi dhe profesionalizëm. “Thërras Gjykatën Kushtetuese, pa dashur të kuptohet kjo si ndërhyrje, që nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi e profesionalizëm nga ana e saj, dhe u bëj thirrje të gjithëve ta lënë gjykatën të bëjë punën e saj, sepse jam e bindur që në situata të tilla gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo”, tha Haxhiu.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume