Mickoski: Maqedonia nga një shtet për t’u përqeshur në krizë, tani është faktor i stabilitetit energjetik
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në seancën parlamentare për pyetjet e deputetëve për gjendjen dhe planet në sektorin energjetik, kujtoi momentet në sektorin energjetik kur qeveria e re e mori pushtetin ekzekutiv, duke e vlerësuar si gjendje alarmante dhe katastrofale, gjendje kataklizmike në gusht, shtator 2024, me akumulime prej diku 7 deri në 8 përqind, qymyr në deponinë e KXE Manastir prej 20-30 tonësh të mjaftueshme që një bllok të punojë 5-6 ditë, makineritë e minierave të pa riparuara, prokurime publike të papërfunduara, blloqe prodhuese të pa riparuara, Oslomej Kërçovë i lënë pas dore dhe i braktisur si monument nga një kohë tranzicioni. Një gjendje katastrofale, vlerësoi Mickoski.
Sot në kushte krize, jo plot dy vite më pas, një vit e gjysmë, kemi 150-160 mijë tonë qymyr të depozituar në të dyja deponitë në Manastir dhe në Kërçovë, kemi akumulime me rreth 40 përqind sasi uji, sasi gazi të siguruara deri në muajin prill të nevojshme për ngrohjen e Shkupit, dhe në këtë moment SHA EMV, ish ELEM, eksporton gjatë orëve të natës në vlerë që i sjell kompanisë rreth 100 deri në 150 mijë euro në ditë, varësisht nga sasia dhe çmimi në bursat e ditës. Dhe kjo është gjendja në kushte të krizës më të madhe energjetike për të cilën ekspertët thonë se është më e madhe se ajo krizë energjetike e viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur mungonin çdo ditë rreth 8 deri në 10 milionë fuçi naftë, ndërsa sot mes 11 dhe 12 milionë fuçi naftë. Vëllimi i krizës është i ngjashëm. Dhe ne në kulmin e kësaj krize jo vetëm që jemi stabil por edhe eksportojmë stabilitet në rajon, diçka që deri tani nuk është parë nga shteti ynë në kushte krize.
Mickoski vlerësoi se me këtë reputacioni i Maqedonisë është ndryshuar deri në atë shkallë sa që kërkohet ndihmë nga ne.
Në kushte të një krize epike ne, kompani nga Maqedonia, furnizojmë disa aeroporte me kerozinë. Paramendoni tani sikur ne të merrnim vendim në qeveri, të mos ketë eksportim. Ato aeroporte do të gjenin zgjidhje, por me një çmim tjetër. Por kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në biletat e avionëve, në shpenzimet e transportit, do të ndikonte drejtpërdrejt në inflacionin në ato shtete. Këtë e bën kjo Maqedoni sot. Jo ajo që bënte dasmë në vendkalim kufitar për një donacion prej 5000 vaksinash, por kjo Maqedoni sot, theksoi Mickoski i cili i komentoi edhe propozimet e opozitës lidhur me tejkalimin e krizës energjetike, si populizëm dhe propozime të cilat edhe vetë ata kur kishin mundësi nuk i zbatonin në periudha krize.
Mickoski në përgjigjen e tij i përmendi edhe planet për propozim për një paraqitje të përbashkët të rajonit para investitorëve botërorë, në lidhje me gjendjet globale dhe nevojën për energji elektrike.
Pikërisht për këtë mendoj se është mirë për të gjithë rajonin, pasi më pyetët për planet e ardhshme, dhe për këtë do të flas në Samitin e ardhshëm BE–Ballkani Perëndimor në Podgoricë në qershor, të organizohemi si rajon. Rrjetet e transmetimit, linjat e tensionit të lartë, lidhjet e gazit dhe tubacionet nuk kanë shengen, ato janë të integruara në sistemin evropian. Nuk ka negociata apo ndryshime kushtetuese. Dhe kjo është një avantazh për ne si rajon, nuk do të jemi të njohur nëse shkojmë secili më vete, individualisht nuk do të jemi të njohur nga investitorët botërorë. E kam thënë këtë në një intervistë, ku e shoh mundësinë. Drejtori i Agjencisë Botërore të Energjisë, Fatih Birol, ishte me mua në një panel në Davos ku tha se në dekadën e ardhshme në botë do të mungojnë 40 mijë teravat kapacitet i instaluar. Si rajon nëse vendosim një qëllim, të paraqitemi së bashku para investitorëve potencialë, dhe nga ato 40 mijë teravat, të sjellim 0,01 përqind. Kjo është 4 teravat, që janë 4 trilionë dollarë amerikanë investime. E ndarë në 10 vite kjo janë 400 miliardë dollarë në vit. Investime potenciale në pjesën e energjetikës. Iniciativë rajonale. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë si shtete të rajonit, besoni se do të jemi të njohur nga investitorët. Dhe do ta transformojmë shoqërinë tonë, sepse vlerat tona të përgjithshme të PBB-së nominale janë rreth 250 miliardë dollarë. E tani paramendoni të sjellim 0,01 përqind këtu, dhe kemi mundësi ta bëjmë këtë. Pyetja e dytë është nëse kemi mjaftueshëm kapacitete ndërtimore, lidhje përçuese, logjistikë për të gjitha këto, kjo është çështje organizimi. Por së pari duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se ky është projekt që na bashkon dhe bën transformim të ekonomive tona dhe të sistemeve tona, vlerësoi kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigjen e tij në seancën parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve.