Në muajt e fundit po përballemi me një fenomen shqetësues dhe të organizuar ndaj punonjësve shqiptarë në administratën publike dhe shtetërore. Raste të shumta flasin për presion sistematik në vendin e punës: zhvendosje arbitrare nga pozicionet, grumbullim në hapësira të papërshtatshme pune, mungesë e kushteve bazë për ushtrim të detyrës, masa disiplinore pa bazë ligjore dhe suspendime të paligjshme. Qëllimi është krijimi i një ambienti të padurueshëm për t’i detyruar njerëzit të largohen vetë nga administrata.
Ky zhvillim ndodh paralelisht me dobësimin e mekanizmave që garantonin përfaqësim të drejtë, duke e bërë situatën edhe më të rëndë për barazinë në institucione.
Përballë kësaj gjendjeje, reagimi duhet të jetë konkret, i organizuar dhe profesional.
Dega e Çairit sot merr një hap të drejtpërdrejtë në mbrojtje të administratës që jeton dhe vepron në Shkup.
Shpallim themelimin e:
Qendrës për Mbrojtje Ligjore dhe Barazi në Administratë – Çair
Kjo qendër është iniciativë e Degës së Çairit dhe do të jetë në shërbim të të gjithë punonjësve të administratës publike dhe shtetërore që jetojnë në Shkup dhe përballen me shkelje të të drejtave të tyre në vendin e punës.
Qendra përbëhet nga juristë, ekspertë të administratës publike dhe profesionistë të fushave përkatëse, të cilët do të ofrojnë këshillim juridik falas për çdo rast.
Nga java e ardhshme, çdo punonjës i administratës që jeton në Shkup mund të paraqitet pranë kësaj qendre, çdo ditë pune nga ora 16:00 deri në 19:00, për të dorëzuar rastin e tij.
Çdo rast do të trajtohet në mënyrë individuale, me analizë të plotë ligjore dhe me rekomandime konkrete për hapat e mëtejshëm. Në varësi të rastit, Dega e Çairit do të ndërmarrë edhe veprime shtesë institucionale dhe publike për të adresuar shkeljet dhe për të kërkuar përgjegjësi.
Ky është një mekanizëm funksional në terren, i vendosur aty ku është nevoja – në Shkup, pranë qytetarëve që përballen çdo ditë me këto padrejtësi.
Parimet e funksionimit janë të qarta:
– Profesionalizëm në trajtimin e çdo rasti
– Konfidencialitet i plotë për çdo denoncues
– Qasje e hapur për të gjithë administratën që jeton në Shkup
– Ndjekje e rasteve deri në zgjidhje
Çdo rast i dokumentuar do të trajtohet seriozisht dhe do të shërbejë si bazë për veprim juridik dhe adresim publik.
Administrata publike duhet të jetë hapësirë e dinjitetit, ligjit dhe barazisë.
Dega e Çairit do të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre parimeve për çdo punonjës të administratës në Shkup.
Ftojmë të gjithë ata që përballen me padrejtësi të mos heshtin dhe të drejtohen pranë kësaj qendre.