Ish zëvendësministrja e Mbrojtjes dhe kryetarja e Asamblesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët, Elfete Ismaili, ka reaguar lidhur me, përjashtimin e vazhdueshëm të Shqiptarëve nga përfaqësimi në institucionet e sigurisë në Maqedonisë së Veriut.

Ajo thekson se në zhvillimet e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes vërehet mungesë e dukshme e përfaqësimit shqiptar. Sipas saj, në kursin e fundit për oficerë janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë të përkatësisë maqedonase, pa asnjë shqiptar.

Ismaili ngriti shqetësim edhe për përfaqësimin në misionet diplomatike ushtarake, duke theksuar se në selinë e NATO në Bruksel nuk ka përfaqësues shqiptar. Sipas saj, edhe në Berlin dhe Ankara, atashe ushtarakë shqiptarë janë zëvendësuar me përfaqësues të nacionaliteteve të tjera.

Ajo vlerëson se këto zhvillime prekin parimet e balancës dhe bashkëjetesës në një shtet multietnik, duke shtuar se përfaqësimi i drejtë nuk duhet parë vetëm si çështje meritash, por edhe si reflektim i realitetit shoqëror.

Sipas Ismailit, përjashtimi i vazhdueshëm i një komuniteti nga institucionet kyçe ndikon në besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe ndjenjën e përkatësisë së tyre.

Në reagimin e saj, ajo kritikoi edhe VLEN-in për mungesë reagimi, duke theksuar se heshtja në këto raste dëmton interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ajo bën thirrje për reflektim dhe veprime konkrete për të siguruar përfaqësim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet e sigurisë dhe diplomacisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume