Përplasje të shumta ka shkaktuar një komunikim në një grup Uatsap, ku pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?” Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama. Zyrtari i VLEN-it, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi e ka cilësuar si zhgënjyes dhe të papranueshëm fjalorin e Hoxhës. Sipas tij zhgënjyese është edhe heshtja e ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani.

“Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kod etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar. Zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut, tha Besar Durmishi, VLEN.

Ndërkohë nënkryetari i BDI-së, ish ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani thotë se çështja nuk është fjala e djeshme, por kontradiktatat e përditshme mes asaj që pretendohet dhe bëhet.

“Nuk e di nëse është thënë, dhe pse përfaqësuesit në qeveri janë quajtur ashtu. Etiketat janë më pak të rëndësishme se pyetja që dëgjoj shpesh nga aktorë ndërkombëtarë për këta në qeveri: Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur shqiptarët janë 100 % pro-evropianë, ndërsa ata mbështesin politika që e bllokojnë rrugën drejt BE-së? Si pretendojnë të përfaqësojnë shqiptarët, kur krijojnë ambient që gjuha shqipe të trajtohet si dytësore? Çështja nuk është fjala e djeshme. Çështja është kontradikta e përditshme mes asaj që pretendohet dhe asaj që bëhet, tha Bujar Osmani, BDI.

Përplasjet kanë vazhduar edhe në Shqipëri. Partia Demokratike atje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Jashtëm shqiptar Ferit Hoxha. Kreu i PD-së, Sali Berisha sot sërish tha se deklarata e Hoxhës është antishqiptare dhe e turpshme. Ndërkohë Ministria e Jashtme e Shqipërisë mesazhet e publikuara i ka cilësuar si të pavërteta. Sipas diplomacisë shqiptare është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume