Azizi tha se BDI-ja ka arritur deri në atë pikë sa, sipas tij, “t’i shtyjë edhe gratë profesoresha të degradojnë nivelin e debatit publik me një fjalor fyes dhe ofendues”.
Ai theksoi se Komisioni për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i udhëhequr për vite me radhë nga BDI-ja, nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të vetme për avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve.
“Për ta, përfaqësimi ka shërbyer vetëm si slogan dhe propagandë politike, jo si kauzë reale”, shkroi Azizi.
Sipas tij, paditë dhe akuzat për vjedhje janë ngritur me argumente dhe fakte konkrete, ndërsa nga ana e BDI-së ka pasur vetëm arsyetime dhe përpjekje për relativizimin e aferave.
Deputeti i VLEN-it kërkoi përgjigje edhe për, siç i quajti ai, skandalet e Maxhar Telekomit, Soravisë, rastin e pacientit, Lotarisë dhe çështje të tjera që lidhen me periudhën e qeverisjes së BDI-së.
Në fund, Azizi akuzoi BDI-në për manipulim të opinionit publik, duke shtuar se qytetarët tashmë i njohin veprimet e saj dhe nuk i besojnë më.