Aliu: Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi informacionin që Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të shndërrohet në Qendër për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore – Shkup
Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi informacionin për themelimin e Qendrës për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore – Shkup, me qëllim krijimin e një sistemi më efikas dhe më të qëndrueshëm të reagimit urgjent mjekësor, shkurtimin e kohës së intervenimit dhe përmirësimin e kapaciteteve për shpëtimin e jetëve njerëzore.
“Veçimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore paraqet një reformë të rëndësishme sistemore, e orientuar drejt forcimit të pavarësisë organizative dhe operative të shërbimit. Me themelimin e Qendrës për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore do të mundësohet menaxhim më efikas i resurseve, planifikim i veçantë buxhetor, marrje më e shpejtë e vendimeve dhe përmirësim i reagimit ndaj thirrjeve urgjente. Reforma e propozuar nuk paraqet krijimin e një sistemi të ri, por forcim institucional dhe modernizim të organizatës ekzistuese, me qëllim planifikim më të mirë të resurseve, investimeve dhe zhvillimit të kuadrove”, sqaron ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Në fazën e parë parashihet veçimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në Shkup si institucion i pavarur, pas së cilës gradualisht do të vijojë integrimi i shërbimeve të tjera në kuadër të Qendrës së ardhshme për Ndihmë të Shpejtë Mjekësore.
Reforma bazohet në përvojat pozitive të vendeve të rajonit, ku ndihma e shpejtë mjekësore është e organizuar si strukturë institucionale e pavarur, gjë që mundëson koordinim më të mirë të ekipeve, shfrytëzim më efikas të resurseve dhe vendosjen e standardeve të unifikuara për punë dhe zhvillim profesional.
Formimi i Qendrës do të kontribuojë edhe në tejkalimin e sfidave shumëvjeçare kadrovike dhe organizative, duke siguruar një sistem më efikas të ndihmës së shpejtë mjekësore për qytetarët.