Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat ka qenë një ndër pikat programore të Aleancës për Shqiptarët në disa cikle zgjedhore dhe, rrjedhimisht, ishte pjesë e programit edhe të koalicionit VLEN para zgjedhjeve të vitit 2024.

Pas shfuqizimit të mekanizmit të balansuesit nga Gjykata Kushtetuese, miratimi i këtij ligji u bë një domosdoshmëri. Sipas marrëveshjeve të asaj kohe, përderisa Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e Qeverisë, ligji duhej të hynte në procedurë parlamentare në nëntor të vitit 2024.

Për këtë qëllim, me iniciativën tonë u formua një komision ekspertësh. Nga ana e kryetarit Taravari në këtë komision u deleguan profesorët Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti, ndërsa si përfaqësues i Qeverisë dhe i VLEN-it ishte Arben Fetai.

Qëllimi i komisionit ishte përpunimi dhe harmonizimi i versionit të ligjit të Aleancës për Shqiptarët, në mënyrë që ai të bëhej i pranueshëm edhe për partnerët e tjerë të koalicionit qeveritar.

Me këtë rast, dua të rikujtoj se versioni ynë i ligjit, i cili duhej të shërbente si bazë për shqyrtim, përmbante dispozita shumë më konkrete dhe më efektive. Ai parashihte kuota etnike, përfaqësim adekuat sipas përqindjes edhe në pozitat udhëheqëse, afate për korrigjimin e mungesës së përfaqësimit në institucionet ku ai nuk ekziston, masa konkrete për stimulimin e përfaqësimit, si dhe një departament të posaçëm me kompetenca të qarta për monitorimin e kësaj çështjeje.

Po ashtu, versioni ynë obligonte të gjitha institucionet që raportet vjetore mbi përfaqësimin t’i dërgonin për shqyrtim në Parlament. Ai përmbante sanksione për moszbatim, mekanizma për verifikimin e përkatësisë etnike dhe masa ndëshkuese për ata që keqpërdorin ose deklarojnë në mënyrë të rreme përkatësinë e tyre etnike.

Në ligjin që është dorëzuar në Parlament nuk gjendet asnjëra prej këtyre masave thelbësore.

Ky ligj u dorëzua në Parlament në maj të vitit 2026, pra plot një vit e gjysmë pas afatit të paraparë. Për më tepër, ai është diametralisht i ndryshëm nga versioni që duhej të harmonizohej, respektivisht nga versioni i Aleancës për Shqiptarët, i cili në atë kohë konsiderohej edhe si version i koalicionit VLEN.

Kritika kryesore ndaj mekanizmit të balansuesit, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, ishte se nuk eliminonte keqpërdorimet që lidhen me deklarimin e përkatësisë etnike të kandidatëve. Megjithatë, duhet theksuar se balansuesi ishte një mekanizëm që nuk lejonte shpalljen e vendeve të punës pa u respektuar kriteri i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Me propozim-ligjin aktual, ky problem nuk është zgjidhur. Ligji nuk ofron mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve në deklarimin e përkatësisë etnike të kandidatëve. Pra, ai nuk e eliminon kritikën kryesore që i bëhej balansuesit.

Ligji përmban dispozita deklarative që flasin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por nuk ofron garanci reale dhe as mekanizma efektivë që do të siguronin zbatimin praktik të këtyre dispozitave.

Edhe Komisioni i Venecias ka vërejtur se ligji nuk krijon institucione dhe mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar zbatimin e tij në praktikë. Si rezultat i këtyre rekomandimeve është paraparë krijimi i një trupi koordinues me përfaqësues të Qeverisë, Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit.

Megjithatë, ky trup do të ketë vetëm rol monitorues. Atij i mungon fuqia detyruese dhe kompetenca për t’i obliguar institucionet që të veprojnë sipas rekomandimeve të tij. Ai mund të monitorojë, të raportojë dhe të rekomandojë, por jo të detyrojë zbatimin e ligjit.

Prandaj, zbatimi praktik i këtij ligji mbetet i varur nga vullneti politik i institucioneve.

Po ashtu, ligji nuk përmban masa ndëshkuese në rast të moszbatimit. Përfaqësuesit e Qeverisë flasin për përgjegjësi politike, por kjo mbetet vetëm deklaratë politike, pasi nuk është e sanksionuar në tekstin e ligjit.

Një ligj pa sanksione rrezikon të mbetet vetëm në letër dhe të shndërrohet në një alibi për vazhdimin e diskriminimit.

Aktet nënligjore dhe metodologjia për zbatimin e ligjit i lihen Qeverisë për t’i miratuar brenda gjashtë muajve. Megjithatë, ligji nuk parashikon çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet. Një problem të ngjashëm e kemi hasur edhe në zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Dallimi është se ai ligj parashikon qartë se, në rast të mos harmonizimit brenda afatit, zbatohen drejtpërdrejt dispozitat e ligjit. Një garanci e tillë mungon në këtë rast.

Ligji aktual vë theks të veçantë te meritokracia dhe profesionalizmi. Ne nuk jemi kundër profesionalizmit, përkundrazi, e mbështesim atë. Megjithatë, duhet pasur kujdes që në emër të profesionalizmit të mos cenohet përfaqësimi adekuat, i cili është kategori dhe garanci kushtetuese.

Pikërisht këtu qëndron një nga mangësitë kryesore të ligjit: mungesa e balancës ndërmjet meritokracisë dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Edhe Komisioni i Venecias ka rekomanduar që të mos rrezikohet përfaqësimi etnik gjatë zbatimit të parimeve meritokratike.

Versioni i fundit i ligjit, i dorëzuar në Parlament, ka pësuar ndryshime që e rrezikojnë këtë balancë. Konkretisht, neni 7 përcakton se trajtimi i diferencuar mund të zbatohet vetëm ndërmjet kandidatëve me kualifikime dhe aftësi të barabarta.

Kjo qasje bie ndesh me frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, i cili kërkon mbrojtje efektive të përfaqësimit adekuat. Për më tepër, edhe kur kandidatët vlerësohen me pikë të barabarta, procesi i intervistimit mbetet subjektiv dhe lë hapësirë të konsiderueshme për interpretim dhe keqpërdorim nga ana e komisioneve përzgjedhëse.

Për këto arsye, konsiderojmë se ligji në formën aktuale nuk ofron garanci të mjaftueshme për realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe nuk adreson problemet thelbësore që u paraqitën pas shfuqizimit të mekanizmit të balansuesit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume