Akuza e sotme e VLEN-it se BDI paska reaguar për autostradën Shkup-Bllacë për shkak të interesave në toka nuk është vetëm një shpifje. Ajo është pasqyra më e mirë e mendësisë politike të Izet Mexhitit.

Njerëzit zakonisht gjykojnë të tjerët sipas vetes. Prandaj, kur dëgjojnë për një projekt strategjik, mendja u shkon menjëherë te parcelat, pronat, fitimet dhe interesat private.

Për Izet Mexhitin, i cili për dy dekada e ka trajtuar pushtetin si instrument për ndërtimin e rrjeteve të interesit, është e vështirë të kuptojë se dikush mund të mbrojë një autostradë sepse është e rëndësishme për qytetarët, për ekonominë dhe për lidhjen strategjike me Kosovën.

Në vend që të përgjigjet pse për gati dy vite projekti u zvarrit, pse u diskutua degradimi i tij nga autostradë në rrugë magjistrale dhe pse u rrezikua një korridor me rëndësi kombëtare, Izet Mexhiti zgjedh të shpikë teori konspirative për toka dhe interesa private.

Kjo është metoda e vjetër: kur mungojnë rezultatet, prodhohen akuza. Kur mungojnë argumentet, kryhen shpifje.

Qytetarët nuk presin shpifje. Ata presin përgjigje.

Pse u vonua projekti?

Pse u tentua ndryshimi i karakterit të tij?

Dhe pse sot po paraqitet si sukses i VLEN-it një projekt që ishte projektuar, financuar dhe nisur shumë kohë para ardhjes së tyre në pushtet?

Sa herë që Izet Mexhiti flet për toka, prona dhe interesa private, ai në fakt flet për botëkuptimin e tij politik.

Nëse Vlen disponon prova për çfarë do veprimi të kundërligjshëm, le t’i dorëzojë ato në organet kompetente. Në të kundërtën, shpifjet publike mbeten vetëm një mjet për ta larguar vëmendjen nga mungesa e rezultateve dhe nga premtimet e pambajtura.

BDI do të vazhdojë të mbrojë interesin publik dhe projektet strategjike, ndërsa qytetarët do të gjykojnë vetë se kush po flet për autostrada dhe kush po flet për parcela!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume