Lisbonë, 19 qershor 2026 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në sesionin e zgjeruar të Bordit Drejtues të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA), i cili u mbajt në Lisbonë. Takimi ishte i fokusuar në diskutimet gjeostrategjike për përforcimin e gatishmërisë dhe përgjigjes ndaj sfidave të lidhura me trafikimin e drogës dhe substancat e reja psikoaktive.

Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar në harmonizimin e politikave dhe legjislacionit kombëtar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë, shëndetit publik dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi me EUDA paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në krijimin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm për substancat e reja psikoaktive dhe në përmirësimin e mekanizmave për monitorimin dhe adresimin e sfidave të lidhura me drogat.

Sali theksoi se procesi i afrimit me Bashkimin Evropian kërkon institucione më të forta, koordinim më efikas ndërinstitucional dhe zbatim të standardeve evropiane që garantojnë siguri më të madhe për qytetarët.

Gjatë takimit u diskutua edhe rëndësia e partneriteteve ndërkombëtare në përballjen me kërcënimet e përbashkëta, si dhe roli i vendeve kandidate në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume