Bekim Sali: Reformat japin rezultate konkrete – Maqedonia e Veriut mbetet ndër vendet lidere në zbatimin e Agjendës së Reformave
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot hapi mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (Reform and Growth Facility – RGF), e cila u mbajt me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij hyrëse, ministri Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe zbatimit të reformave që sjellin rezultate të prekshme për qytetarët.
“Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një prioritet politik, por një investim strategjik në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të vendit. Agjenda e Reformave është shndërruar në një instrument kyç për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Sali.
Ai falënderoi Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadorin Michalis Rokas dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ministri Sali nënvizoi se Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të suksesshme në rajon në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke siguruar deri më tani mbi 142 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ndërsa vetëm në ciklin e fundit të vlerësimit janë miratuar 65.7 milionë euro, që paraqet shumën më të lartë të disbursuar në rajon.
Gjatë takimit u prezantuan arritjet dhe progresi në fushat e reformës së administratës publike, sundimit të ligjit, transformimit digjital, tranzicionit të gjelbër, menaxhimit të financave publike dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Pjesëmarrësit riafirmuan përkushtimin e përbashkët për vazhdimin e reformave dhe për përdorimin efektiv të Instrumentit për Reforma dhe Rritje si një mekanizëm që sjell përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë.



