Ka ardhur momenti. Spektakli më i madh i futbollit në planet nis zyrtarisht, duke hapur një kapitull të ri në historinë e Kupës së Botës.
Nga stadiumi legjendar Azteca në Meksikë, nën një mot të paqëndrueshëm mes diellit dhe reshjeve, e deri te finalja që do të luhet muajin e ardhshëm pranë Nju Jorkut, miliona tifozë në mbarë globin do të jetojnë 39 ditë plot emocione, shpresa, zhgënjime dhe momente që do të mbeten përgjithmonë në kujtesë.
Në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror ka performuar këngëtarja Shakira, në një duet me Burna Boy, me këngën himn të Kampionatit Botëror “Dai Dai”.
Shakira është rikthyer të performojë në Kupën e Botës pas plot 16 vitesh, kur shkëlqente me hitin “Waka Waka”.
Shakira dhe Burna Boy ndezën atmosferën në stadium, duke u shoqëruar edhe nga një grup këngëtarësh me një performancë spektakolare.
Performanca spektakolare u dhurua edhe nga këngëtarët Danny Ocean me këngën “Partidazo” dhe Belinda me hitin “Por ella”. Skenën e ndezi edhe këngëtari kolumbian J Balvin me disa nga këngët e tij më të ndjekura.