Ilire Dauti në Click Plus tha se VLEN ka pranuar që të kalojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, vetëm për të filluar bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë që siç tha, vetëm e vetëm për të vazhduar të jenë pjesë e Qeverisë. Dauti tha se VLEN është kërcënuar me zgjedhje të parakohshme dhe në këtë situatë po bëhet luftë për pushtet, përcjell Nistori.
Dauti tha se nuk mundet ta pranojë faktin se ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mund të kalojë në Kuvendin, pasi siç tha, nuk duhet lejuar. Ajo shtoi se duhet të pengohet kalimi i këtij ligji pasi sipas saj, nuk do të zgjidh çështjet e shqiptarëve dhe në të ardhmen do të duhet të sillen mekanizma të tjerë.
E sa u përket kuotave etnike, Dauti e sheh si shqetësuese dhe absurde që shqiptarët të thonë se nuk duhet të ketë që siç shtoi, “pse ne duhet here të bëhemi përqindje, here thyes për të ndërtuar ekuacionin që t’ju del rezultati të tjerëve”.
“Unë nuk mund ta pranojë faktin se ky ligj duhet të kalojë. Si është e mundur të lejohet të kalojë ky ligj. Patjetër duhet të pengohet kalimi i këtij ligji sepse ne vetëm do të japim argumentin se është sjell një ligj që nuk e ka zgjidhur çështjen dhe ne shqiptarët nuk mund të sillemi vazhdimisht në vendin e njëjtë. PAs një kohe të themi pritni se paska pasur defekte dhe të mendojmë një mekanizëm tjetër. E kemi të qartë se çfarë zhvillohet këtu. Ishte balancuesi, me votë të Qeverisë është largu balancuesi sepse ishte në programin e Qeverisë”, deklaroi Dauti.
Deputetja e Lidhjes Shqiptare shtoi se janë disa çështje që prekin dinjitetin e njeriut dhe “duron duron, por një ditë thua mjaft”. Dauti tha se shqiptarët nuk janë ardhacakë dhe nuk kërkojnë asgjë nga askush dhe se gjithsecili “mund të mbajë pjesën e vet”.