Ndërkohë, nga kjo ndërmarrje apelojnë te të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në mbrojtjen e pronës publike, pasi ajo është në shërbim të të gjithë komunitetit dhe ruajtja e saj është përgjegjësi e përbashkët
Urim HASIPI
Tetovë, 22 qershor – Një nga nënstacionet e transportit publik në Tetovë, që ndodhet pranë Gjykatës Themelore të Tetovës, është dëmtuar ditë më parë nga persona të papërgjegjshëm, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport theksojnë se ky nuk është vetëm dëmtim i një objekti publik, por edhe mungesë respekti ndaj të gjithë qytetarëve që çdo ditë shfrytëzojnë transportin publik. “Ndërmarrja Publike Tetova-Transport vlerëson se dëmtimet e pronës publike në nënstacionet e transportit publik janë raste të izoluara dhe nuk paraqesin dukuri të shpeshtë. Megjithatë, çdo dëmtim i inventarit publik, qoftë i ulëseve, tabelave informuese, nënstacioneve apo pajisjeve të tjera, shkakton kosto shtesë për ndërmarrjen dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për riparim dhe mirëmbajtje. Këto mjete financiare dhe burime njerëzore, të cilat do të mund të përdoreshin për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve, orientohen në sanimin e dëmeve të shkaktuara”, thonë për gazetën KOHA nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport.
Më tej, sipas autoriteteve të kësaj ndërmarrjeje, shumica dërrmuese e qytetarëve tregojnë kujdes dhe përgjegjësi ndaj infrastrukturës që është në shërbim të tyre, ndërsa rasti i fundit i dëmtimit të nënstacionit konsiderohet i izoluar. “Raste të tilla janë të rralla. Statistikat e ndërmarrjes tregojnë se gjatë vitit 2026 është evidentuar vetëm një rast i dëmtimit të pronës publike në nënstacionet e transportit publik. Kjo dëshmon se shumica dërrmuese e qytetarëve tregojnë kujdes dhe përgjegjësi ndaj infrastrukturës që është në shërbim të tyre. Ndërmarrja Publike Tetova-Transport mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së transportit publik, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohen kushte sa më të mira dhe më të sigurta për shfrytëzimin e transportit publik”, sqarojnë nga kjo ndërmarrje.
Meqenëse bëhet fjalë vetëm për një rast të regjistruar këtë vit, ndërmarrja vlerëson se nuk ka nevojë për denoncim në polici. Megjithatë, nëse në të ardhmen evidentohen raste të ngjashme, ato do të raportohen në organet kompetente. “Deri më tani, Ndërmarrja Publike Tetova-Transport nuk ka paraqitur raste të tilla në organet kompetente, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për dëmtime të izoluara dhe me përmasa të kufizuara. Në shumicën e rasteve, ndërmarrja ka ndërmarrë masa për sanimin dhe riparimin e dëmeve me kapacitetet e veta. Megjithatë, nëse në të ardhmen evidentohen dëmtime më serioze ose përsëritje të vazhdueshme të rasteve të tilla, ndërmarrja do të shqyrtojë mundësinë e njoftimit të institucioneve kompetente, me qëllim mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme”, pohojnë nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport.
Ndërkohë, nga kjo ndërmarrje apelojnë te të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në mbrojtjen e pronës publike, pasi ajo është në shërbim të të gjithë komunitetit dhe ruajtja e saj është përgjegjësi e përbashkët.