Nga Suad SALIU

Në politikë, simbolika flet më qartë se çdo deklaratë. I tillë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i kthyer emrat e vjetër të rrugëve në Tetovë pikërisht në ditëlindjen e VMRO-së.

Por emrat e rrugëve ranë në momentin kur partitë shqiptare VetëVendosën ta largojnë flamurin dhe himnin shqiptar nga tubimet e tyre partiake. Qysh kur pranuan të zgjidhen nga VMROja, e jo të përzgjidhen nga populli i tyre!

Por rrugët, në fakt, asnjëherë nuk u pagëzuan. Sepse për më shumë se 20 vite kemi pasur një parti që ka punuar për t’i INTEGRUAR shqiptarët në një shtet që, edhe pas luftës, vazhdoi ta injorojë autoktoninë dhe shtetformësinë e tyre. Një shtet që nuk i njeh shqiptarët si komb, por i kuantifikon me përqindje, pikërisht për shkak të shovinizmit që ka ndaj çdo gjëje shqiptare.

E njëjta parti, edhe si opozitë, vazhdon ta mbrojë këtë sistem shtetëror unitar dhe një marrëveshje kompromisi si ajo e Ohrit, e cila afatin politik e kishte të skaduar qysh në vitin 2005. Ajo marrëveshje është dashur të jetë pikënisje për ta hapur rrugën drejt barazisë, jo dokument që shqiptarët ta mbanin në krah si dëshmi të përjetshme të durimit të tyre. Jo qëllim në vete. Aq më pak ideal mbarëkombëtar.

Infantiliteti i tyre politike ende pret telefona të kuq, duke harruar se qyqarllëku nuk vlerësohet kund. Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikanë që mbrojnë status quo-në e ndërkombëtarëve. Kanë nevojë për njerëz që formësojnë vizion politik për ta dhe punojnë për të bindur këdo që e kërkon nevoja.

Prandaj përgjegjësia është e dyfishtë.

Poshtë servilizmi politik.

Dhe mbi të gjitha poshtë çdo iluzion se shqiptarët mund të mbrohen pa një vizion të ri politik, më të guximshëm, më të thellë dhe më dinjitoz.