Shkruan Faton Halili
Një Komb, Një Qëndrim, Një Ide!
Prej vitit 2016 e këndej, për herë të parë pas shumë vitesh, faktori politik shqiptar filloi të kuptojë se pa koordinim kombëtar dhe pa mbështetjen e Shqipërisë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të vazhdonin të mbeteshin një faktor i fragmentuar, i përdorshëm vetëm për nevojat e palës tjetër. Pikërisht në këtë periudhë, Tirana zyrtare mori një rol më aktiv në mbështetjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve dhe në përpjekjet për unifikim rreth çështjeve strategjike kombëtare dhe sot këtë gjë po e kapitalizon me aktivitetet e tij z.Meidani.
Por sa herë që shqiptarët afrohen rreth një kauze të përbashkët, dalin në skenë disa të vetëshpallur “intelektualë”, analistë sezonalë dhe pseudopatriota të pushtetit, të cilët brenda natës harrojnë çdo interes kombëtar dhe fillojnë të shesin si sukses çdo politikë që vjen nga pushtetarët. Për ta, problemi nuk është diskriminimi, moszbatimi i ligjeve apo margjinalizimi i shqiptarëve, problemi është gjithmonë ai që guxon t’i përmendë këto tema.
Shqiptarët mund të ndahen në parti, por nuk duhet të ndahen në çështjet kombëtare. Mund të kenë mendime të ndryshme për qeveri e opozita, por nuk duhet të kenë dilema për Shqipërinë. Kushdo që përpiqet të krijojë hendek mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, po luan me një nga shtyllat më të rëndësishme të vetëdijes sonë kombëtare.
Për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet busullë dhe pasqyrë kombëtare rreth vlerave që na bashkojnë.
Të luftosh këtë ide nuk është modernizëm politik, është një përpjekje e kotë për ta zbehur vetëdijen kombëtare shqiptare.
Shqipëria është busulla jonë kombëtare, uniteti është forca jonë, ndërsa interesi shqiptar është vija jonë e kuqe.