Klubi i Premierligës, Hull City, duhet të shesë lojtarë para një afati të rreptë të 1 korrikut për të shmangur ndëshkime të mundshme, ka zbuluar pronari Acun Ilicali.

“Tigrat” siguruan ngjitjen në elitën e futbollit anglez duke mposhtur Middlesbroughin 1-0 në finalen e “play-offit” të Championshipit në “Wembley”.

Hull ishte vendosur nën një embargo transferimesh me pagesë verën e kaluar dhe u detyrua të mbështetej vetëm te huazimet dhe transferimet e lira.

Por nën drejtimin e trajnerit Sergej Jakirovic, ata sfiduan parashikimet e parasezonit duke përfunduar në vendin e gjashtë në Championship, me golashënuesin më të mirë Oli McBurnie që shënoi 18 gola.

30-vjeçari skocez gjithashtu realizoi golin e fitores në minutën e 95-të në finalen e “play-offit” për t’i siguruar Hullit ngjitjen në Premierligë.

Por para se të fokusohen tek afrimet për kthimin e tyre në elitë, “Tigrat” duhet fillimisht të shesin disa asete.

Të martën në mëngjes u raportua se Hull duhet të mbledhë rreth 6 milionë paund nga shitjet e lojtarëve për të shmangur shkeljen e mundshme të rregullave të Fair Play Financiar (FFP).

Edhe pse rikthimi në Premierligë sjell të ardhura të mëdha, FFP llogaritet mbi një periudhë trevjeçare raportimi, e cila nuk i përfshin këto të ardhura të ardhshme.

Edhe pse 6 milionë paund mund të duken një shumë e vogël për shumicën e klubeve të Premierligë, Hull ishte në League One deri në sezonin 2020/21 dhe, siç u përmend, nuk kishte mundësi të shpenzonte për blerje lojtarësh verën e kaluar, duke bërë që skuadra të jetë më e kufizuar krahasuar me klubet e tjera.

Duke folur të martën, pronari i klubit Ilicali konfirmoi (përmes “Yorkshire Post”) se klubi ka “shpenzuar më shumë se duhet” dhe tani duhet të shesë lojtarë – por është i bindur se do t’i mbledhë fondet pa u detyruar të largojë lojtarët kyç.

“Ne kemi shpenzuar më shumë se duhet dhe duhet të shesim disa lojtarë deri më 1 korrik,” tha ai.

“Nuk them se do të jetë shumë e lehtë apo shumë e vështirë. Tani jemi një klub i Premier League, vlera e lojtarëve është rritur, gjë që është një avantazh i mirë. Kemi disa lojtarë që e dinë se nuk do të mund të luajnë me ne. Tani do të punojmë për këtë dhe do ta zgjidhim problemin. Është një detyrë e re dhe do ta menaxhojmë. Nuk kam frikë. Kemi menaxhuar gjëra më të vështira. Për ne, kjo është më e menaxhueshme”, shtoi ai.

Klube të tjera të Premierligës, Evertoni dhe Nottingham Foresti, kanë marrë zbritje pikësh – gjashtë dhe katër respektivisht – për shkelje të rregullave të Profit and Sustainability (PSR).

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume