Kombëtarja U-15 regjistroi një tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke triumfuar me rezultatin 2-0 në takimin e dytë miqësor të zhvilluar mesditën e sotme në Ohër.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gent Mahmuti zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, duke kontrolluar lojën dhe duke konkretizuar epërsinë në pjesën e dytë. Autorët e golave për kuqezinjtë ishin Albion Qorraj dhe Santjago Perkola.

Trajneri Mahmuti e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Romeo Hazizaj, Dejvis Mesiti, Denian Avdylaj, Elez Elqeni (C), Enea Taci, Adrian Sina, Albion Qorraj, Samuel Prendi, Besardo Ndoj, Kledi Dida dhe Elio Tavani.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, pavarësisht përpjekjeve të kuqezinjve për të gjetur golin e avantazhit. Në fraksionin e dytë, Shqipëria arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 60-të me Albion Qorrajn, ndërsa dhjetë minuta më vonë Santjago Perkola realizoi golin e dytë, duke vulosur fitoren 2-0.

Edhe ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve, e zhvilluar dy ditë më parë në Korçë, është mbyllur me triumfin 4-1 për kuqezinjtë. Këto dy takime miqësore shërbyen si një mundësi e rëndësishme për stafin teknik të Kombëtares U-15 për të vlerësuar nga afër futbollistët e rinj dhe për t’u ofruar atyre eksperiencë ndërkombëtare në kuadër të procesit të zhvillimit dhe promovimit të talenteve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume