Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij para simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, pasi rezultatet preliminare e renditën LVV-në të parën me 42.92 për qind të votave.

Në fjalimin e tij, Kurti e cilësoi rezultatin si fitoren e pestë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare dhe tha se ai përbën një tjetër konfirmim të mbështetjes qytetare për qeverisjen e partisë së tij.

“Urime edhe një fitore e LVV-së, kjo është fitorja e pestë e Lëvizjes në zgjedhjet parlamentare. Ky është edhe një konfirmim i radhës se kjo dekadë është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Kurti, transmeton Zeriinfo.

Ai shtoi se zgjedhjet e fundit dëshmuan, sipas tij, epërsinë e vazhdueshme elektorale të subjektit që drejton.

“Në këto zgjedhje të pesta, për më pak se shtatë vjet, u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë”, tha ai.

Kurti falënderoi aktivistët, simpatizantët dhe qytetarët për angazhimin gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, duke theksuar se lëvizja që ai udhëheq ka arritur të kapërcejë sfida të shumta.

“Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar dhe edhe atëherë kur është dukur e pamundur, ne e kemi realizuar, sepse tash ka shtet për krejt e ne jemi krejt për shtet”, u shpreh ai.

Në fund të fjalimit, Kurti falënderoi mbështetësit për votën e dhënë për numrin zgjedhor të LVV-së.

“Faleminderit që ia keni qitë pikën me numrin 116”, përfundoi ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume