Në minierat e Maqedonisë, si lëndë e parë dytësore, prodhohen edhe sasi të caktuara ari dhe argjendi. Sipas Ligjit për lëndët e para minerale, minierat e metaleve, të cilat gjatë procesit të prodhimit nxjerrin ar, janë të detyruara që fillimisht t’ia ofrojnë për shitje Bankës Popullore të Maqedonisë me çmim tregu. Nëse Banka Popullore nuk dëshiron ta blejë, atëherë mund ta shesin diku tjetër, transmeton emisioni KOD i Tv Tellma, përcjell PressOnline.al

Në Bankën Popullore pyetëm se sa ar u ishte ofruar gjatë pesë viteve të fundit dhe sa kishin blerë. Ata u përgjigjën se nuk u ishte ofruar fare ar dhe se po kërkojnë ndryshime ligjore për të pasur përparësi në blerje.

Kjo përparësi ekziston në ligj, por ari nuk ekziston.

Në vend prodhohet koncentrat xeheror që përmban qindra kilogramë ar në vit. Miniera e bakrit “Buçim” në Radovish, në faqen e saj të internetit, publikon se minerali që nxjerr përmban 0,2 deri në 0,3 për qind bakër dhe 0,2 deri në 0,22 gramë ar për ton. Në vitet e fundit nuk publikojnë më sasi të prodhimit të metaleve, por në periudhën kur e bënin këtë, para vitit 2020, prodhonin nga 30 deri në 40 mijë tonë koncentrat xeheror, i cili përmbante nga 448 deri në 975 kilogramë ar dhe nga 860 deri në 1300 kilogramë argjend në vit.

Problemi është se në vend nuk ka shkritore ku ky koncentrat xeheror të përpunohet dhe të shndërrohet në ar ose argjend. Koncentrati eksportohet në shkritore jashtë vendit, më së shpeshti në Bullgari. Aty në fakt prodhohen shufrat e arit, të cilat shkritoret atje nuk kanë më detyrim t’ia ofrojnë fillimisht për shitje Bankës Popullore të Maqedonisë.

“Dispozita e përmendur e Ligjit ekzistues për lëndët e para minerale nuk është e zbatueshme në praktikë, duke pasur parasysh se minierat maqedonase, si koncesionarë, nuk disponojnë ar si produkt përfundimtar, por në procesin teknologjik prodhojnë koncentrat të thatë bakri që përmban një sasi të caktuar metalesh, përfshirë edhe arin. Duke pasur parasysh se në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka shkritore funksionale për përfitimin e arit në formë fizike, prodhimi i produkteve finale metalike jashtë vendit e vështirëson ndjeshëm procesin e mbajtjes së arit të Maqedonisë brenda vendit dhe ofrimin e tij për shitje në Bankën Popullore. Kjo fushë në të ardhmen pritet të rregullohet me Ligjin e ri për miniera, i cili është në përgatitje nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, ndërsa në procesin e konsultimeve është përfshirë edhe Banka Popullore”, thonë nga Banka Popullore, përcjell PressOnline.al

Megjithatë, mbetet e paqartë se si ky problem do të zgjidhet ligjërisht, pra si me një ligj maqedonas do t’u imponohet shkritoreve të huaja që arin ta shesin në Maqedoni.

Në draft-ligjin për miniera, i cili është vendosur në debat publik në ENER, përsëri është vendosur e njëjta formulim si në ligjin aktual për lëndët e para minerale – se Banka Popullore ka përparësi në blerjen e arit të prodhuar në Maqedoni, por në Maqedoni nuk prodhohet ar.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore, vlera e arit në rezervat valutore maqedonase që nga viti 2009 deri më sot është rritur pothuajse gjashtëfish – nga 146 milionë euro në vitin 2009 në 875 milionë euro në prill të këtij viti, por për më shumë se dy dekada shteti nuk ka blerë asnjë gram ar. Vetëm se e njëjta sasi sot vlen më shumë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vendi ka 0,22 milionë ons ari të pastër, përkatësisht rreth 6,9 tonë ar monetar, i cili në shufra ari prej rreth 12 kilogramësh ruhet në thesarin e Bankës së Anglisë në Londër.(PressOnline.al)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume