LAJMI I FUNDIT/ Gjykata Kushtetuese shfuqizon emrat “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara”… në Tetovë
“Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara”, “Kongresi i Manastirit”… nuk do të jenë më në Tetovë, shkruan gazeta KOHA.
Në seancën e sotme, Gjykata Kushtetuese mori vendim ta pranojë Iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nr. 07-766, të datës 24.04.2007, të cilën e kishin dorëzuar Lidhja e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare (LNÇ) të Tetovës më 11.02.2025, dhe e shfuqizoi këtë vendim, sipas ankuesit, të paligjshëm.
“Në vitin tashmë të largët 2007, me votat e këshilltarëve të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Këshill, duke shkelur ligjin, u zëvendësuan emrat e heronjve maqedonas dhe të figurave të koalicionit antifashist botëror. Ky veprim pasqyroi mungesë respekti ndaj Kushtetutës dhe ndaj themeleve antifashiste të shtetit të vendosura nga ASNOM-i. Jam i bindur se shumë nga ato që na kanë ndodhur ose po na ndodhin janë rezultat i lëshimeve dhe dorëzimit tonë kolektiv. Besoj se të gjithë mund të japim një kontribut shumë më të madh për të mirën e përbashkët”, njoftoi ankuesi Darijan Sotirovski përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Nga viti 2007 e deri më sot, Komuna e Tetovës i ka përdorur emrat e rrugëve të miratuar atë vit, si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara”, “Kongresi i Manastirit”, ndërsa autoritetet qendrore kanë vazhduar të përdorin emërtimet e përcaktuara në periudhën kur Maqedonia ishte pjesë e sistemit shtetëror socialist të Jugosllavisë.
Ka reaguar Sekretari gjeneral i BDI-së, Arbër Ademi.
“Partia НИШТО po na kthen çdo ditë mbrapa. Çdo ditë një vendim më shumë kundër të arriturave të pasvitit 2001. Sot, Gjykata destabilizuese e Maqedonisë së Veriut anuloi emrat e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, të miratuara që në vitin 2007, duke rikthyer emërtimet e vjetra. Ju pengojnë emrat si sheshi ILIRIA, DËSHMORËT E KOMBIT, DERVISH CARA, KONGRESI I MANASTIRIT etj. Pa asnjë bazë të qëndrueshme juridike. Pa asnjë arsye të logjikshme. Thjesht sepse munden”, thuhet në reagimin e Ademit.
E munden, ka vijuar më tej ai, sepse kanë gjetur disa që për një kolltuk shesin gjithçka: historinë, dinjitetin dhe interesin kombëtar. “Kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit të sotëm. Le t’i gëzojnë tash përsëri emrat si Marshali Tito, se edhe ashtu poezi i kan kushtuar”. (koha.mk)