Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, zhvilloi sot një vizitë pune në Manastir, ku së bashku me kryetarin e komunës, Toni Konjanovski, inspektoi disa projekte kapitale në fushën e kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore informon Tetovasot.

Vizita nisi me një takim pune në Komunën e Manastirit, ku u diskutuan projektet aktuale dhe ato të ardhshme që po realizohen në bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe pushtetit lokal. Në fokus të bisedimeve ishin investimet në infrastrukturën kulturore, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit kulturor.

Në kuadër të vizitës, ministri Ljutkov inspektoi punimet për rindërtimin, sanimin dhe adaptimin e objektit të ish-kinemasë “Partizan”, një nga projektet më të rëndësishme kulturore në qytet, me vlerë prej 94 milionë denarësh.

“Kinema ‘Partizan’ për vite me radhë ka qenë një objekt i lënë pas dore dhe jashtë funksionit. Sot shohim se punimet po zhvillohen me ritëm të mirë dhe se, hap pas hapi, po krijojmë një qendër moderne multifunksionale kulturore, e cila do të shërbejë si shtëpi e shumë aktiviteteve kulturore dhe si vendtakim për artistët dhe qytetarët”, deklaroi Ljutkov.

Ai theksoi se objekti pritet të jetë plotësisht i rinovuar dhe funksional deri në vitin 2027, kur Manastiri do të fitojë një hapësirë të re për koncerte, ekspozita, projeksione filmash dhe aktivitete të tjera kulturore.

Ministri vizitoi gjithashtu punimet konservuese dhe restauruese në Xhaminë e Re (Jeni Xhami), një nga monumentet më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore në vend. Për realizimin e këtij projekti shumëvjeçar janë siguruar rreth 12 milionë denarë.

“Detyrimi ynë është të ruajmë dëshmitë më të çmuara të historisë sonë. Jeni Xhamia është pjesë e identitetit kulturor të Manastirit dhe për këtë arsye po investojmë mjete të konsiderueshme për mbrojtjen dhe restaurimin e saj të plotë”, tha ministri.

Vizita vazhdoi në lokalitetin arkeologjik Heraklea Linkestis, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në vend. Këtë vit, Ministria ka ndarë 700 mijë denarë për mbrojtjen e lokalitetit dhe mozaikëve të tij, të cilët konsiderohen pasuria më e madhe e këtij kompleksi.

“Heraklea nuk është vetëm pjesë e së kaluarës sonë, por edhe një potencial i madh për të ardhmen. Fakti që ky lokalitet vizitohet nga deri në 25 mijë turistë në vit tregon interesimin e madh për trashëgiminë tonë kulturore. Prandaj do të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen dhe promovimin e tij”, u shpreh Ljutkov.

Gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka investuar rreth 32 milionë denarë në projekte të realizuara nga Instituti dhe Muzeu i Manastirit, duke përfshirë restaurimin e fasadës së muzeut, rregullimin e lapidariumit, rinovimin e suvenirtores, si dhe konservimin e shtëpive memoriale të Goce Dellçevit dhe Stiv Naumovit.

Sipas ministrit, Manastiri mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore në vend, ndërsa investimet në infrastrukturën kulturore, mbrojtjen e trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit kulturor do të kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave kulturore para publikut vendas dhe ndërkombëtar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume