Partia opozitare LSDM ka kërkuar sot moratorium për ndërtimin e data-qendrave të reja komerciale që përdorin sisteme ftohjeje me avullim të ujit.

​Nga kjo parti konsiderojnë se janë të nevojshme obligime ligjore për projektet më të vogla për nevoja shtetërore, me të cilat investitorët do të detyrohen të përdorin ekskluzivisht ftohje me ajër dhe prodhim vetanak të energjisë përmes parqeve solare dhe baterive, pa tërhequr rrymë nga rrjeti nacional.

​Вotë, në një konferencë për media, Kristian Dojçinovski nga LSDM-ja ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së në pushtet, duke pohuar se pushteti po insiston në ndërtimin e data-qendrave të mëdha komerciale. Ai tha se pushteti dëshiron të shesë ujin dhe rrymën për interesat e data-qendrave të huaja dhe për përfitimet e veta nga tenderët.
​Nga LSDM-ja vënë në dukje se edhe pse transformimi digjital është i rëndësishëm, tërheqja e këtyre data-qendrave të mëdha sjell një rrezik të madh strategjik me kthim minimal ekonomik. Sipas të dhënave të tyre, një data-qendër e madhe shpenzon midis 1 dhe 3 milionë litra ujë të pijshëm në ditë – aq sa është e nevojshme për një qytet me 15,000 deri në 30,000 banorë, gjë që në kushte të ndryshimeve klimatike dhe tharjeve mund të çojë në restrikcione për amvisëritë dhe bujqësinë.

​”Sistemi ynë energjetik është tashmë i ndjeshëm. EMV punon me humbje dhe me teknologji të vjetruar, MEPSO ka probleme me balancimin për shkak të bumit solar, ndërsa EVN-ja përballet me rritje të çmimeve të tregut. Shtimi i konsumatorëve masivë që punojnë 24/7 do të rrisë varësinë nga importi, do të rrisë faturat e rrymës për qytetarët dhe do të rrezikojë stabilitetin e rrjetit”, deklaroi Dojçinovski, duke shtuar se këto objekte hapin vetëm 25 deri në 50 vende direkte pune.

​Si argument kundër këtyre projekteve, partia opozitare përmendi shembujt ndërkombëtarë ku investime të tilla tashmë po bllokohen.

​”Kompania ‘Meta’ e ka anuluar projektin në Zeewolde për shkak të rezistencës nga qytetarët dhe fermerët. Është vendosur moratorium për data-qendra të reja rreth Dublin-it deri në vitin 2028, pasi ato shpenzojnë mbi 20 për qind të rrymës në vend. Dhjetëra projekte në Arizona, Virxhinia dhe Misuri janë bllokuar për shkak të mungesës së ujit dhe rritjes së faturave të rrymës”, tha Dojçinovski.
​LSDM-ja i bëri thirrje publike autoriteteve që të ndërpresin këtë që e quajti politikë të papërgjegjshme dhe të vendosin interesat e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në plan të parë, në vend të interesave të tyre për tenderë dhe provizione.

​Reagimi i LSDM-së vjen pasi tre ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria nuk do të heqë dorë nga planet për tërheqjen e investimeve në data-qendra, duke vlerësuar se ato janë kyçe për zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të shtetit.

​Duke komentuar reagimet në opinion pas deklaratës së tij se po zhvillohen bisedime me dhjetëra kompani të interesuara për të investuar në data-qendra në vend, Mickoski tha se një pjesë e kritikave paraqesin përpjekje për të krijuar histeri dhe për të penguar proceset zhvillimore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume