Për herë të parë që nga pavarësia, Maqedonia është zgjedhur anëtare e Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara për periudhën mandatare 2027–2029, duke marrë mbështetje nga deri në 174 shtete anëtare në votimin në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se zgjedhja përfaqëson njohjen e përpjekjeve të investuara në politikën e jashtme dhe besimin që Maqedonia po ndërton me partnerët e saj ndërkombëtarë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, anëtarësimi në këshill do të mundësojë pjesëmarrje më të madhe të vendit në debatet globale mbi zhvillimin ekonomik dhe social, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe do të forcojë më tej besueshmërinë e saj ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski theksoi se ky është një tjetër konfirmim i besueshmërisë dhe rolit aktiv të vendit në diplomacinë shumëpalëshe.

“Ky është një sukses i përkushtimit, i besimit dhe i punës që shpesh zhvillohet larg syrit të publikut, por sjell rezultate konkrete. Ky është një sukses diplomatik që nuk matet vetëm me zgjedhjen, por edhe me besimin që qëndron pas saj”, theksoi Mucunski.

Këshilli Ekonomik dhe Social është një nga gjashtë organet kryesore të Kombeve të Bashkuara dhe ka një rol qendror në koordinimin e politikave ekonomike, sociale dhe të zhvillimit brenda sistemit të OKB-së.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume