Neymari, i cili aktualisht ndodhet me kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës 2026, iu nënshtrua një tjetër rezonance magnetike (MRI) të hënën, e cila tregoi “progres të mirë” në rikuperimin e dëmtimit në pulpën e këmbës së djathtë, “brenda parametrave të pritshëm”.

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) njoftoi se ylli i Santosit “do të vazhdojë procesin e rikuperimit dhe përgatitjes fizike të planifikuar nga komisioni mjekësor”.

Neymari, i përfshirë në momentet e fundit në listën e trajnerit Carlo Ancelotti për Kupën e Botës, është jashtë fushave që nga 17 maji, kur ndjeu një shqetësim në pulpën e këmbës së djathtë gjatë një ndeshjeje të kampionatit brazilian.

Klubi i tij, Santosi, fillimisht deklaroi se bëhej fjalë për një “edemë”, ndërsa një ditë më vonë Ancelotti e grumbulloi për Botërorin, mes kërkesave të shumta nga një pjesë e dhomës së zhveshjes së Brazilit, ish-futbollistë dhe tifozë.

Megjithatë, CBF-ja dëshiroi të kishte diagnozën e saj dhe, sapo grumbullimi i kombëtares nisi më 27 maj në Rio de Janeiro, e nënshtroi Neymarin ndaj testeve të reja që konfirmuan një dëmtim më serioz sesa pritej fillimisht.

Pavarësisht kësaj, Ancelotti ka garantuar se sulmuesi brazilian do të jetë pjesë e fazës finale të Kupës së Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada, e cila nis këtë të enjte.

Që nga ai moment, Neymari është stërvitur kryesisht në palestër dhe ka dalë shumë pak në fushë, vetëm për ushtrime të lehta.

Ai mungoi në dy ndeshjet miqësore të Brazilit ndaj Panamasë (6-2) dhe Egjiptit (2-1), kjo e fundit e zhvilluar në Cleveland.

Golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit nuk udhëtoi fare drejt Clevelandit për këtë test të fundit dhe qëndroi në New Jersey, bazën e kombëtares braziliane, me synimin për të përshpejtuar rehabilitimin e tij.

Në një konferencë për shtyp, Ancelotti deklaroi se është optimist që Neymari do t’i bashkohet stërvitjeve me grupin gjatë kësaj jave, megjithëse mbetet në dyshim për ndeshjen hapëse kundër Marokut të shtunën në “MetLife Stadium”.

Ky nuk është problemi i parë për Ancelottin gjatë përgatitjeve për Botërorin.

Të shtunën e kaluar, në ndeshjen kundër Egjiptit, ai humbi për shkak dëmtimi edhe Wesleyn, ndërsa mbrojtësi i Romës u largua nga grumbullimi pasi ekzaminimet zbuluan një dëmtim serioz në muskujt aduktorë të kofshës së majtë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume