Më lejoni së pari të shpreh urime të sinqerta me rastin e 25-vjetorit të ekzistencës së Qendrës për Ekselencë në Financa – organizatë e cila gjatë dy dekadave e gjysmë u shndërrua në një nga qendrat më të rëndësishme për dije, zhvillim profesional dhe bashkëpunim rajonal në fushën e financave publike.

Ky jubile nuk përfaqëson vetëm shënimin e një periudhe kohore. Ai përfaqëson një mirënjohje për një mision që prej një çerek shekulli kontribuon në krijimin e institucioneve më të mira, politikave më të mira dhe menaxhimit më të mirë të burimeve publike në të gjithë rajonin.

Në një kohë kur bota po ndryshon me një shpejtësi të paparë, kur rrjedhat ekonomike po bëhen gjithnjë e më komplekse, dhe sfidat me të cilat përballen shtetet janë gjithnjë e më të mëdha, dija dhe kapaciteti institucional po bëhen kapitali më i rëndësishëm të çdo shteti.

Pikërisht për këtë arsye, roli i Qendrës për Ekselencë në Financa sot është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Gjatë ekzistencës së saj, kjo organizatë ka trajnuar dhjetëra mijëra profesionistë, ka organizuar mijëra ngjarje dhe ka krijuar një rrjet bashkëpunimi që i lidh institucionet në të gjithë rajonin. Por vlera e saj më e madhe është se ka krijuar një kulturë të të mësuarit, të shkëmbimit të përvojave dhe të ndërtimit të përbashkët të zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballen vendet tona.

Veçanërisht e rëndësishme është se Qendra, që nga themelimi i saj, detektoi se përparimi i vërtetë nuk vjen vetëm përmes miratimit të ligjeve dhe strategjive, por përmes krijimit të njerëzve që kanë dije, integritet dhe kapacitet për t’i zbatuar me sukses ato politika. Në këtë kontekst, kontributi i kësaj organizate është shumë më i madh sesa numri i programeve të realizuara apo pjesëmarrësve në trajnimet e saj. Kontributi i saj shihet në institucionet që sot funksionojnë më mirë, në administratat që janë më efikase dhe në sistemet financiare që janë më të qëndrueshme dhe më rezistente.

Financat e forta publike nuk janë vetëm një kategori ekonomike. Ato janë themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shtet i suksesshëm. Ato janë parakusht për investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, siguri dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.

Prandaj ne si Qeveri jemi të vendosur fort drejt ndërtimit të financave publike stabile, të përgjegjshme dhe transparente. Besojmë se çdo denar nga paratë e qytetarëve duhet të menaxhohet me kujdes, me llogaridhënie dhe në interes të publikut.

Në atë proces, Ministria e Financave ka një rol kyç.

Dua sot publikisht të theksoj punën e ministres së Financave dhe ekipit të saj, të cilët me përkushtimin, profesionalizmin dhe qasjen serioze tregojnë se disiplina financiare dhe zhvillimi nuk janë objektiva të kundërta, por procese që duhet të ecin dorë për dore.

Në një kohë me shumë sfida ekonomike globale, ata tregojnë se është e mundur njëkohësisht të ruhet stabiliteti i financave publike, të realizohen investime kapitale, të mbështetet ekonomia dhe të krijohen kushte për rritje ekonomike

Rezultatet e një qasjeje të tillë tashmë janë të dukshme.

Sipas të dhënave zyrtare të fundit, në tremujorin e parë të këtij viti Maqedonia realizoi rritje të Produktit të Brendshëm Bruto prej 3,2 për qind, gjë që na pozicionon ndër pesë ekonomitë e para në Evropë sipas shkallës së rritjes ekonomike. Njëkohësisht, vitin e kaluar u shënua rekord historik në investimet e huaja direkte prej 1 miliard e 255 milionë euro, që përfaqëson shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në shtetin tonë.

Këto numra nuk janë vetëm statistikë. Ato janë vërtetim se financat publike stabile, politikat ekonomike të përgjegjshme dhe reformat që i zbatojmë krijojnë besim te investitorët, nxisin aktivitetin ekonomik dhe hapin mundësi të reja për zhvillim. Kjo është dëshmi se kur institucionet punojnë me përkushtim, ndërsa politikat bazohen në dije, disiplinë dhe vizion të qartë, rezultatet nuk mungojnë.

Ajo që gëzon veçanërisht është se këto rezultate nuk janë tregues të izoluar, por pjesë e një trendi më të gjerë pozitiv. Sot kemi rritje të prodhimit industrial, rritje të eksportit, rritje të pagave mesatare dhe ulje graduale të papunësisë. Këta janë tregues që flasin për një ekonomi që po ecën përpara, për një sipërmarrësi që krijon vlerë të re dhe për një shtet që gradualisht po e rikthen besimin te investitorët dhe komuniteti i biznesit.

Gjatë periudhës së kaluar arritëm ta stabilizojmë inflacionin, të sigurojmë një mjedis të parashikueshëm afarist dhe të forcojmë besimin në politikat ekonomike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur një numër i madh ekonomish evropiane po përballen me rritje të ngadalësuar dhe pasiguri. Pikërisht për këtë arsye këto rezultate kanë peshë dhe rëndësi shtesë.

Njëkohësisht, po punojmë për realizimin e ciklit më të madh investues në historinë e re të shtetit. Po ndërtojmë dhe po rikonstruktojmë rrugë, autostrada, infrastrukturë hekurudhore, shkolla, konvikte studentore, salla sportive, spitale dhe kapacitete energjetike. Këto nuk janë vetëm projekte infrastrukturore. Këto janë investime në konkurrueshmërinë e shtetit, në cilësi më të mirë të jetës dhe në të ardhmen e gjeneratave që vijnë.

E gjithë kjo e vërteton më tej rëndësinë e institucioneve që janë të afta të planifikojnë, të menaxhojnë dhe të realizojnë me përgjegjësi mjetet publike. Sepse pas çdo projekti të realizuar, pas çdo investimi dhe pas çdo politike të suksesshme qëndrojnë njerëz me dije, përvojë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik.

Një nga vlerat më të mëdha të Qendrës për Ekselencë në Financa është aftësia e saj për t’i lidhur institucionet dhe njerëzit rreth një qëllimi të përbashkët – krijimin e sistemeve më efikase, më transparente dhe më të përgjegjshme të menaxhimit.

Në një botë ku sfidat nuk njohin kufij, asnjë institucion nuk mund t’i ketë të gjitha përgjigjet i vetëm. Prandaj janë të rëndësishme partneritetet, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave. Pikërisht përmes platformave të tilla krijohen ide të reja, transmetohen praktika të mira dhe ndërtohen institucione të përgatitura për të ardhmen.

Njëkohësisht, forume të tilla na kujtojnë se reformat e suksesshme nuk janë rezultat i aktiviteteve të izoluara, por i një procesi të vazhdueshëm të të mësuarit dhe përshtatjes ndaj rrethanave të reja. Sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme që institucionet të jenë fleksibile, të hapura ndaj ideve të reja dhe të gatshme të pranojnë praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin që Qendra për Ekselencë në Financa ka në forcimin e kapaciteteve profesionale të administratës publike. Sepse asnjë reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ka njerëz që dinë ta zbatojnë, që kanë vizion për ta udhëhequr dhe integritet për ta mbrojtur.

Prandaj, investimi në dije është gjithmonë investimi më i leverdishëm. Dija krijon politika më të mira. Politikat më të mira krijojnë institucione më të mira. Institucionet më të mira krijojnë rritje ekonomike. Ndërsa rritja ekonomike krijon një jetë më të mirë për qytetarët.

Shteti ynë mbetet i përkushtuar ndaj reformave, modernizimit të administratës publike, digjitalizimit të proceseve dhe forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale. Këtë nuk e bëjmë sepse dikush e kërkon nga ne, por sepse e dimë se kjo është e vetmja rrugë drejt zhvillimit afatgjatë dhe një standardi më të mirë jetese për qytetarët tanë.

Jam i bindur se pikërisht dija, profesionalizmi dhe gatishmëria për të mësuar vazhdimisht do të jenë faktorët kyç që do t’i përcaktojnë shtetet e suksesshme në dekadat që vijnë.

Ky jubile është një kujtesë se institucionet e forta nuk krijohen brenda natës, por ndërtohen me durim, me dije, punë, vizion dhe përkushtim të qartë për përparim. Ai është një konfirmim se investimi në kapitalin njerëzor, zhvillimin profesional dhe bashkëpunimin institucional sjell rezultate që njihen dhe vlerësohen edhe pas shumë vitesh.

Në të njëjtën kohë, ky jubile është edhe një inkurajim për të ardhmen. Një inkurajim që të vazhdojmë me forcimin e institucioneve, të investimin në njerëz, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të krijojmë sisteme që do të jenë më efikase, më transparente dhe më të qëndrueshme ndaj sfidave që sjell koha moderne.

Prandaj besoj se edhe në vitet që vijnë, Qendra për Ekselencë në Financa do të mbetet një shtytës i rëndësishëm i reformave, modernizimit dhe zhvillimit profesional në rajon, ndërsa përvoja dhe dija e saj do të vazhdojnë t’i ndihmojnë institucionet të hartojnë politika më të mira dhe të arrijnë rezultate më të mira për qytetarët e tyre.

Qendrës për Ekselencë në Financa i uroj edhe shumë vite të suksesshme, partneritete të reja, arritje të reja dhe një kontribut edhe më të madh në zhvillimin e financave publike dhe institucioneve në rajonin tonë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume