Në kuadër të Samitit “Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor”, i cili u mbajt sot në Tivat të Malit të Zi, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dha deklaratë për mediat, në të cilën theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet i gjallë.

“Këto janë momente kur praktikisht Bashkimi Evropian, përkatësisht Këshilli Evropian, e thotë qartë se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë. Detyra jonë si Qeveri është ta ruajmë këtë proces, ta shtyjmë përpara, por në të njëjtën kohë të mos e humbasim dinjitetin tonë, siç ka ndodhur në dekadat e kaluara kur bëhet fjalë për aspiratat tona maqedonase për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë është të mbetemi vendi që realizon më së shumti reforma dhe njëkohësisht të mbetemi të fokusuar tek zgjerimi, duke ruajtur dinjitetin kombëtar”, tha kryeministri Mickoski.

Kryetari i Qeverisë u ndal edhe te takimi me kancelarin gjerman Merz, të cilin e vlerësoi si mjaft konstruktiv dhe shprehu kënaqësinë e tij për bisedën.

“Ne njihemi edhe nga Partia Popullore Evropiane, por ky ishte takimi i parë mes dy kryeministrave dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur nga takimi. Jam po ashtu jashtëzakonisht i kënaqur nga ajo që biseduam dje me Presidentin Macron gjatë darkës së punës dhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Von der Leyen. Ndryshimet kushtetuese të cilat i pranoi qeveria e kaluar ishin temë e bisedimeve, por qëndrimi ynë mbetet i njëjtë. Ne meritojmë shumë më tepër sesa mediokritete politike nën mesatare, siç ishte qeveria e kaluar, të na përcaktojnë fatin evropian dhe mendoj se një pjesë e madhe e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kuptojnë këtë. Procesi i zgjerimit është i gjallë dhe është mirë që sot liderët e vendeve anëtare të BE-së e dërguan këtë mesazh”, përfundoi Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume