Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se gjatë dy viteve të fundit qeveria ka kthyer 4.6 miliardë euro borxhe të trashëguara, ndërsa njëkohësisht ka ruajtur stabilitetin financiar dhe ka projektuar zhvillim ekonomik informon Tetovasot.

Në një intervistë për emisionin “Ku janë paratë”, Mickoski theksoi se buxheti i shtetit po mbushet sipas dinamikës së planifikuar dhe se nuk ka arsye për shqetësim.

“Qytetarët duhet të jenë të qetë. Buxheti po realizohet sipas planit dhe do të mbushet në ritmin e parashikuar”, deklaroi kryeministri.

Ai nënvizoi se përkundër sfidave të shumta, përfshirë krizën energjetike që e cilësoi si më të madhen në historinë e re, qeveria ka arritur të sigurojë likuiditet financiar dhe të ulë borxhin publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

“Kemi kthyer dhe siguruar likuiditet për rreth 4.6 miliardë euro, ndërsa borxhi neto është ulur si përqindje e BPV-së”, tha Mickoski.

Sipas tij, deri më 15 qershor realizimi i buxhetit ka arritur në rreth 43 për qind, ndërsa me përfshirjen e kthimit të tatimit solidar, kjo shifër kalon 44 për qind.

Mickoski kritikoi gjithashtu analistët dhe politikanët pranë opozitës, të cilët sipas tij po krijojnë panik të panevojshëm për gjendjen ekonomike.

“Histeria që po shfaqin disa analistë dhe politikanë të afërt me LSDM-në nuk më shqetëson, përkundrazi më inkurajon, sepse tregon se ata e kanë humbur terrenin nën këmbë”, deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se qeveria ka arritur të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me derivate të naftës jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për shtetet fqinje, duke e cilësuar këtë si një sukses të rëndësishëm ekonomik dhe strategjik.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume