Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë në një intervistë për emisionin „Direktno“ në TV Telma, deklaroi se LSDM-ja dhe E Majta kanë vepruar në mënyrë joparimore në procesin e miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, pasi fillimisht ishin pajtuar dhe ishte arritur konsensus, ndërsa në momentin e fundit u bënë pishman dhe filluan të bëjnë kalkulime.
“Jo se ne si Qeveri nuk arritëm të krijojmë konsensus. Përkundrazi, bëmë gjithçka që ishte në mundësinë tonë për të krijuar konsensus dhe ai u arrit gjatë fundjavës. Për këtë nuk kemi asnjë dilemë. Por, ajo që është më e rëndësishme është se të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it u përfshinë në kuadër të reformës që po bënimnë kuadër të Kodit Zgjedhor. Ajo që e mbushi kupën ishte përpjekja e partisë politike E Majta për të bërë kalkulime politike për të miliontën herë në skenën politike maqedonase, ndërsa më pas, si zakonisht, LSDM-ja ndoqi shembullin e tyre dhe u përpoq, përmes filibustering-ut, pra përmes obstruksioneve ndaj miratimit të Kodit Zgjedhor, ta bllokojë atë.
Gjithçka ishte dakorduar, gjithçka ishte konfirmuar. Praktikisht, të gjitha kërkesat e tyre ishin përfshirë në vetë Kodin Zgjedhor, veçanërisht kur bëhet fjalë për partinë politike E Majta. Në ditën kur duhej të nënshkruhej propozimi dhe t’u dorëzohej deputetëve, qëndrimi i asaj partie ishte se nuk do ta nënshkruanin, se nuk do ta bojkotonin, le ta miratonin partitë e tjera politike, por ata nuk do ta nënshkruanin. Atëherë, natyrshëm, u ngrit dilema: prisni pak, kemi negociuar për disa muaj, ekzistojnë procesverbale dhe dokumente autentike nga këto negociata, propozimet tuaja janë pranuar, propozime të tjera po ashtu janë pranuar, janë përfshirë në tekst dhe kanë përfunduar”, theksoi Mickoski.
Në pyetjen se cilat nga propozimet e tyre ishin pranuar, Mickoski u përgjigj:
“Gjithçka për të cilën ata në skenë publike nuk e thonë të vërtetën, sa i përket financimit të fushatës zgjedhore gjatë zgjedhjeve, u pranua ashtu siç e kërkuan. Gjithçka që kërkuan u pranua. Asgjë nuk ishte në kundërshtim. Në fund, nuk mund të sillemi sikur nuk jemi nga këtu dhe para opinionit të shtiremi se për këtë janë dakorduar partitë e tjera. Ne jemi të veçantë, nuk do ta bojkotojmë, por do të rrimë mënjanë. Kjo është politikisht jokorrekte, nuk është morale, nuk është etike dhe, në fund të ditës, nuk është as e civilizuar”, theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Së dyti, që në takimin e liderëve, kur ishim ulur bashkë, përfaqësuesit e Të Majtës e konfirmuan se do të marrin pjesë në përgatitjen e ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor, se ndryshimet dhe versioni i ri i Kodit Zgjedhor duhet të miratohen deri në fund të muajit qershor dhe se të gjithë do të pajtohemi dhe do të angazhohemi për ta bërë këtë. Kjo ishte kërkesa e tyre, ne e pranuam dhe thamë, në rregull, do të punojmë për të miratuar një Kod Zgjedhor që, para së gjithash, do t’i përfshijë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por gjithashtu do të shqyrtojmë nëse partitë politike në Parlament, si dhe ato jashtë Parlamentit, kanë kërkesa të caktuara specifike dhe do të shohim se si mund t’i inkorporojmë të gjitha ato.”
Sa u përket kërkesave të LSDM-së, Mickoski theksoi se, nëse ato paraqesin amendamente, edhe ato do të pranohen. Ai shtoi se kërkesa e vetme e VMRO-DPMNE-së është që diaspora në, siç tha ai, epokën e inteligjencës artificiale, të ketë mundësi të votojë në mënyrë elektronike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi ato lidhen me census zgjedhor, por edhe për të ulur shpenzimet e mëdha për dërgimin e përfaqësuesve në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit në mbarë botën.
“LSDM-ja thotë tre gjëra. E para ka të bëjë me mënyrën e votimit. Thonë që të mos rrumbullakohet numri, por emri. Në rregull. Le të paraqesin amendament dhe do ta pranojmë menjëherë, nëse ky qënka problemi. Së pari, kjo nuk është kërkesë e jona, prandaj ne nuk po përgatisim ndonjë manipulim zgjedhor. Ka procesverbale nga takimet, le t’i lexojnë dhe do të shohin se e kujt ka qenë kjo kërkesë. Në pjesën ankesës post-zgjedhore nga vëzhguesit dhe përfaqësuesit e autorizuar, le të paraqesin amendament dhe që nesër do e pranojmë. Edhe kjo nuk është kërkesa jonë, edhe për këtë ka procesverbale, le t’i hapin dhe të shohin se e kujt është. Kërkesa jonë e vetme është që nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale diasporës t’i mundësohet të votojë në mënyrë elektronike. Jo nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale, sepse zgjedhja e presidentit lidhet me census dhe, së dyti, na kushton shumë kur dërgojmë përfaqësues nga Maqedonia në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në mbarë botën për të shërbyer si komisione zgjedhore. Qëllimi ynë ishte t’i ulim këto shpenzime dhe t’i mundësojmë diasporës të votojë në mënyrë elektronike në një epokë të inteligjencës artificiale, në një kohë kur tashmë ekzistojnë dhjetëra shembuj të tillë në vendet demokratike anembanë botës. Ne vlerësojmë se diaspora, e cila kontribuon me remitanca për shtetin, e meriton që kjo të vlejë dhe të implementohet në të ardhmen”, deklaroi Mickoski.
Mickoski përsëriti edhe një herë se pret që edhe aktorët e tjerë të mbeten parimorë dhe ta mbështesin atë që e kanë konfirmuar publikisht, ndërsa për dy kërkesat e tjera shprehu gatishmërinë që ato të mbështeten.
“E tani ata po e problematizojnë këtë. Për ne kjo është vijë e kuqe, sepse ata e pranuan. Kjo u konfirmua personalisht nga përfaqësuesit e tyre gjatë seancës së pyetjeve parlamentare, në praninë time. Nuk do të përmend emra, por pres që të mbeten parimorë dhe ta mbështesin Kodin Zgjedhor. Sa u përket dy kërkesave të tjera që kanë, unë, qoftë nesër, sot apo pasnesër, kurdo që t’i paraqesin, ja si politikan deklaroj se do t’i mbështesim. Në rregull, nëse ata mendojnë se kështu duhet, në rregull ne do t’i mbështesim”, nënvizoi Mickoski.