Mickoski: Problemi nga e kaluara po zgjidhet, tekstet shkollore po shpërndahen me kohë për vitin e ri shkollor
Folësit e mëparshëm thanë pothuajse gjithçka që lidhet me shpërndarjen e teksteve shkollore. Unë do të shtoja vetëm se ndoshta e gjithë kjo duhet të përfaqësojë një punë normale, edhe pse para 10–15 vitesh flisnim për kompjuter për çdo fëmijë, sot gëzohemi nëse tekstet shkollore i shpërndajmë me kohë, që fëmijët të mund t’i përdorin.
Për fat të keq patëm një kataklizëm, e cila për 7 vite ishte qeveri në Maqedoni dhe pasojat janë shkatërruese. Po punojmë prioritet pas prioriteti për t’i kthyer gjërat në normalitet.
Unë jam i vetëdijshëm se ka qytetarë të cilëve durimi u shkon drejt fundit, por e rëndësishme është që ne t’i realizojmë qëllimet dhe prioritetet tona dhe të lëmë përshtypjen se po japim maksimumin që gjërat të kthehen aty ku e kanë vendin. Një nga këto procese është edhe kjo zgjidhje sistemike për furnizimin e më të dashurve tanë, fëmijëve, me tekste shkollore.
Do ta them përsëri, më vjen keq që në kohën e inteligjencës artificiale dhe të teknologjive bashkëkohore të avancuara, ne gëzohemi që i shpërndajmë tekstet shkollore me kohë.
Por është ajo që është. Ai kataklizëm politik që e sollën LDSM dhe BDI, tanimë është e kaluar, dhe ajo që ne si Qeveri kemi për detyrë ta bëjmë është që kurrë më të mos përsëritet.
Do të doja ta shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur mirënjohje ministres së Arsimit, njerëzve nga ekipi i saj në Ministrinë e Arsimit, kryetarit të komunës, këshilltarëve nga Komuna e Aerodromit, drejtoreshës së kësaj shkolle dhe në thelb drejtorëve dhe të punësuarve në arsim në mbarë Maqedoninë, për durimin që e kanë dhe për dijen që ua përcjellin më të dashurve tanë, e ata janë fëmijët.
Megjithatë, kjo është, do të thosha, një punë nobeliane dhe unë edhe njëherë u shpreh urime për gjithçka që bëjnë si për fëmijët, ashtu edhe për Maqedoninë si shtet.