Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në një intervistë për emisionin „Direktno“ në TV Telma deklaroi se rikonstruimi i Qeverisë, të cilin po e realizon si mandatar në gjysmën e mandatit qeverisës, në thelb do të thotë energji e re. Ai theksoi se propozimet do t’i prezantojë sot para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të partisë, ndërsa më pas do t’i dorëzojë në Kuvend para deputetëve.

“Unë e komentova parimin e këtij rikonstruktimi. Jo gjithmonë duhet të bëjmë ndryshime sepse kemi rezultate më të vogla se pritjet, por gjithmonë mund të jemi më të mirë se sa jemi aktualisht. Këtu nuk kam asnjë dilemë. Ndonjëherë kemi edhe ndryshim të prioriteteve brenda vetë koalicionit qeverisës dhe mendoj se ky rikonstruktim është një kombinim i të gjithë këtyre shtyllave për të cilat po flas. Para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do ta arsyetoj propozimin me të cilin do të dal në Parlament, sepse kjo është procedura dhe praktika – si mandatar fillimisht të sigurohet mbështetja e Komitetit Ekzekutiv të partisë për propozimin, e më pas të dal para Parlamentit dhe ta mbroj atë para deputetëve. Kështu që kjo është përafërsisht ajo që do të pasojë”, tha Mickoski.

I pyetur se cilat dikstere do t’i marrë VMRO-DPMNE dhe cilat do t’i mbajë, Mickoski tha se partia do të marrë dy ministri: Shëndetësinë dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.

“Në këtë rikonstruim, VMRO-DPMNE do të marrë dy dikastere që deri më tani drejtoheshin nga partnerët e koalicionit. Bëhet fjalë për dikasterin e Shëndetësisë dhe dikasterin e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Partneri ynë i koalicionit VLEN do ta marrë dikasterin e Kulturës, Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe dikasterin e Drejtësisë. Ministria e Bujqësisë do t’i kalojë ZNAM-it. Ata gjithashtu do të marrin edhe një zëvendësministër shtesë, pasi zëvendësministrat të vijnë në rend dite, gjë që pritet të ndodhë në vjeshtë, nga shtatori.”