Nga punëtor i thjeshtë në Gjermani deri te titulli “Dachdeckermeister”, historia frymëzuese e Nderim Hajdari
Nderim Hajdari nga Kamenica ka ndarë historinë e tij frymëzuese të suksesit në Gjermani, duke treguar rrugëtimin plot sfida që e çoi deri te diplomimi me titullin “Dachdeckermeister”, një nga kualifikimet më të larta profesionale në fushën e kulmëve dhe ndërtimtarisë, transmeton albinfo.ch.
Ai ka bërë të ditur se në vitin 2018 u largua nga Kosova drejt Gjermania, pasi kishte përfunduar studimet për Juridik dhe praktikën njëvjeçare në gjykatë.
Megjithatë, jeta në Gjermani e detyroi të niste gjithçka nga fillimi. Fillimisht ai punoi si punëtor i thjeshtë, ndërsa me përkushtim dhe punë të vazhdueshme arriti të ndërtojë një rrugë të re profesionale.
Sot, Nderimi është diplomuar si “Dachdeckermeister”, sukses të cilin e konsideron realizim të një ëndrre dhe një motivim të madh për sfidat e ardhshme në jetën profesionale.
Në mesazhin e tij, ai falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar se puna, këmbëngulja dhe besimi në vetvete mund të hapin rrugë të reja edhe larg vendlindjes.
Historia e tij po shihet si një shembull motivues për shumë të rinj shqiptarë në diasporë që përballen me sfida të reja në ndërtimin e jetës dhe karrierës së tyre jashtë vendit. /Albinfo.ch