Urim Saliu- Tetovasot
BDI sapo ka mbushur afërsisht dy dekada e gjysmë ekzistencë. Erdhi si një parti me bagazhin e luftës, si një lëvizje që në sytë e shqiptarëve të asaj kohe përfaqësonte shpresën, sakrificën dhe idealin. Kur doli për herë të parë në zgjedhje, nuk kishte konkurrencë. Njerëzit donin ta votonin të gjithë, pa dallim moshe apo statusi.
Ishte një kohë e vështirë. Paslufta sillte pasiguri, tensione dhe kaos. Edhe të qenit gazetar në ato vite ishte një sfidë më vete. E megjithatë, pikërisht në atë kohë, unë zgjodha të jem kritik. E kisha përkrahur luftën, por jo verbërisht politikën që erdhi pas saj.
Për vite me radhë isha ndër zërat më të ashpër kundër BDI-së. Paradoksi është se në atë subjekt ndodheshin shumë nga ata që sot i gjejmë në VLEN. Shumë prej tyre atëherë ishin bashkë në pushtet, bashkë në vendimmarrje dhe bashkë në përndjekjen e çdo zëri kritik.
E kam ndjerë këtë në lëkurën time.
Më ngushtuan horizontet aq shumë, sa në një periudhë të jetës më shndërruan në një rast social. Në vitin 2008 fitova një banesë sociale. Ishte ndoshta shansi i vetëm që unë dhe familja ime të kishim një strehë të sigurt. Por me ardhjen e tyre në pushtet, ajo banesë mu mor. Nuk më morën vetëm katër mure. Më morën një ëndërr, një nevojë dhe një mundësi për një jetë më të dinjitetshme dhe mbeta duarbosh edhe sot e kesaj dite.
Ata që atëherë ishin pjesë e atij sistemi, shumë prej tyre sot ndodhen në kampe të tjera politike dhe VLEN, por metodat shpesh mbeten të njëjta. Emrat ndryshojnë, flamujt ndryshojnë, por logjika e hakmarrjes politike vazhdon të jetojë.
Në opinionin publik, ne që kritikonim pushtetin konsideroheshim të këqij, të padëshiruar, madje edhe armiq. Ndërsa ata që kontrollonin institucionet, tenderët dhe privilegjet paraqiteshin si vlerat më të mëdha të kombit. Njësoj siç ndodh edhe sot me shumë figura të pushtetit.
Gjatë gjithë jetës sime kam zgjedhur të jem pranë opozitës, jo për interes, por sepse kam besuar se pushteti duhet kontrolluar dhe kritikuar. Për këtë zgjedhje kam paguar çmim të lartë. Jo vetëm unë, por edhe fëmijët e mi. Pasojat e asaj rruge i ndiej ende sot.
Por ka një dallim thelbësor.
Unë nuk e mas jetën me pasuri, poste apo privilegje. E mas me ndërgjegje. Kam bërë gabimet e mia si çdo njeri, por kam zgjedhur të mos shes fjalën, të mos shes bindjen dhe të mos shes dinjitetin.
Prandaj sot, kur shoh shumë prej atyre që dikur më luftuan, nuk ndiej urrejtje. Ndiej keqardhje. Sepse besoj se njeriu mund të fitojë gjithçka në këtë botë, por nëse humbet nderin dhe drejtësinë, ka humbur betejën më të madhe.
Unë do të vazhdoj rrugën time, me të gjitha vështirësitë, padrejtësitë dhe plagët që ajo ka lënë. Sepse besoj se rruga e nderit dhe e Zotit është më e vështira, por është e vetmja që të lejon të flesh i qetë me ndërgjegjen tënde.