Shkruan Urim Saliu -Tetovasot
Shkëndija po lulëzonte.
Në Evropë luante pa komplekse. Përballej me kundërshtarë më të pasur, më të organizuar dhe me kampionate shumë më të forta. E megjithatë gjente forcë të konkurronte, të fitonte respekt dhe të mbante gjallë emrin e Tetovës përtej kufijve.
Por sa më shumë rritej Shkëndija, aq më shumë dukej sikur dikujt i pengonte.
Në Evropë e ndalnin kundërshtarët. Këtu po e ndalin gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin.
Sot flitet për 105 mijë euro dënim. Për ndeshje pa publik. Për përjashtim nga Kupa. Për një klub që sezonin e ardhshëm rrezikon të luftojë me duar të lidhura ndërsa të tjerët nisin garën normalisht.
Dhe këtu nuk është më çështja nëse ka pasur apo jo arsye për ndëshkime. Kjo le t’u mbetet organeve përkatëse.
Pyetja është tjetër.
Pse gjithmonë kur bëhet fjalë për Shkëndijën, pesha duket më e rëndë?
Pse gjithmonë kur goditet ky klub, shumëkush zgjedh të heshtë?
Pse shumë media, përfshirë edhe një pjesë të mediave shqiptare, e kanë humbur instinktin për të bërë pyetje?
Janë shndërruar në transmetues komunikatash. Në shpërndarës lavdesh. Në zëdhënës të atyre që drejtojnë futbollin.
Nuk flasin për fenomenet që po e hanë sportin nga brenda.
Nuk flasin për padrejtësitë që ndjejnë tifozët.
Nuk flasin për standardet e dyfishta që perceptohen nga publiku.
Nuk flasin për frikën që po rritet dita-ditës.
Sepse frika më e madhe nuk janë 105 mijë eurot.
Frika më e madhe është lodhja.
Lodhja e njerëzve që investojnë.
Lodhja e atyre që mbajnë gjallë klubin.
Lodhja e sponsorit që prej vitesh ka derdhur miliona për ta bërë Shkëndijën model të futbollit shqiptar.
Nëse një ditë ai vendos se nuk ia vlen më, atëherë nuk do të humbasë vetëm Shkëndija.
Do të humbasë Tetova.
Do të humbasë futbolli shqiptar.
Do të humbasin breza të tërë fëmijësh që sot vrapojnë pas topit me një ëndërr të vetme, pra të veshin fanellën kuqezi.
Shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë.
Për ta Shkëndija është thjesht një klub.
Për Tetovën nuk është.
Për mijëra familje nuk është.
Për fëmijët tanë nuk është.
Ajo është tema që bashkon njerëz që nuk bien dakord për asgjë tjetër.
Është arsyeja pse harrohen hallet për 90 minuta.
Është krenaria që mbetet kur politika zhgënjen, kur ekonomia rëndon dhe kur shpresa zbehet.
Prandaj kur goditet Shkëndija, nuk preket vetëm një ekip futbolli.
Preket një ndjenjë kolektive.
Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse shumë njerëz sot nuk janë të zemëruar vetëm me dënimin.
Janë të zemëruar me heshtjen.
Me ata që flasin vetëm kur duhet të marrin merita.
Me ata që shfaqen vetëm në ditët e festës.
Dhe me ata që nuk e kuptojnë se kur dobëson Shkëndijën, nuk dobëson vetëm një klub.
Dobëson një nga gjërat e pakta që ende bashkon këtë qytet.