Rreth 20 deri në 30 të punësuar në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) për një periudhë prej 6-7 vitesh kanë marrë rregullisht paga pa u paraqitur fare në vendin e punës. Këtë e bëri të ditur sot drejtoresha e institucionit, dr. Maria Andonovska, duke sqaruar se këta persona ishin të regjistruar rregullisht në sistemin e evidencës së punës, pasi disa kolegë të tyre paguheshin me nga 200 euro për t’ua evidentuar kartelat e prezencës.
Një pjesë e të punësuarve që evidentonin kartelat e kolegëve e kanë pranuar vetë këtë veprim, ndërsa shumica e atyre që nuk paraqiteshin në punë tashmë janë larguar vetë nga institucioni.
Këto informacione vijnë pas raportit të publikuar dje nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) për punën e ISHP-së gjatë vitit 2024, në kohën kur drejtor i institucionit ishte dr. Shaban Memeti. Revizorët dhanë opinion negativ për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe për përputhshmërinë e transaksioneve financiare me legjislacionin në fuqi për vitin 2024. Në këtë institucion nuk ishte kryer revizion që nga viti 2017.
Drejtoresha Andonovska informoi se që në fillim të mandatit të saj ishin vërejtur një sërë parregullsish, pas së cilave në janar të vitit 2025 ishin njoftuar Byroja për Siguri Publike – Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, si dhe Sektori për Hetime Kriminalistike dhe Korrupsion. Nga Instituti, në atë kohë, ishin marrë rreth njëzet dosje me materiale për hetim.