DOBROSHT – Punimet infrastrukturore në Komunën e Tearcës po vazhdojnë pa ndërprerje edhe gjatë fundjavës. Kryetari i komunës, Daut Memishi, ka njoftuar se në fshatin Dobrosht kanë nisur punimet për shtrimin e asfaltit në një rrugë lokale, projekt i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e qarkullimit për banorët, raporton Tetovasot.

Përmes një postimi publik, Memishi theksoi se angazhimi për realizimin e projekteve infrastrukturore nuk ndalet as gjatë ditëve të pushimit, duke vënë në pah përkushtimin e administratës komunale për përmirësimin e infrastrukturës në të gjitha vendbanimet e komunës.

“Edhe gjatë fundjavës vazhdojmë me përkushtim për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunën tonë. Sot në fshatin Dobrosht kemi filluar me shtrimin e asfaltit, një projekt i rëndësishëm që do të përmirësojë dukshëm kushtet e lëvizjes dhe cilësinë e jetës për banorët”, ka deklaruar Memishi.

Sipas tij, investimet në infrastrukturën rrugore mbeten prioritet i komunës, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe zhvillimin e vendbanimeve rurale, raporton Tetovasot.

“Punë, përkushtim dhe rezultate”, është mesazhi që ka përcjellë kryetari i Komunës së Tearcës, duke paralajmëruar vazhdimin e projekteve edhe në periudhën e ardhshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume