Një sponsor është vendosur në mënyrë strategjike në fanellat e çdo gjyqtari në Kupën e Botës, me logon që mbetet kryesisht e fshehur deri në momentin kur një arbitër ngre krahët.
Në total, sipas FIFA-s, rreth gjashtë miliardë njerëz do të angazhohen në një mënyrë apo tjetër me turneun e kësaj vere, ndërsa më shumë se pesë milionë tifozë pritet të ndjekin ndeshjet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Turneu i zgjeruar i FIFA-s është i garantuar të ketë shumë transmetime, ndaj vendimi i Rexona-s për të bërë një nga vendosjet më strategjike të sponsorizimit në historinë e Kupës së Botës mund të rezultojë një lëvizje shumë e zgjuar.
Siç shihet edhe në foto, logoja e markës së deodorantit është vendosur pikërisht nën sqetullat e fanellave të çdo gjyqtari, që do të thotë se logoja mbetet e fshehur për shumicën e kohës së ndeshjes.
Por kur një refer merr një vendim të rëndësishëm, si akordimi i një penalltie, ndëshkimi me karton ose ngritja e tabelës elektronike të zëvendësimeve, logoja e “Rexonas” bëhet qartë e dukshme për shikuesit në shtëpi.
“Rexona”, e njohur si “Sure” në Mbretërinë e Bashkuar, ka gjithashtu logon e saj të vendosur në tabelën e zëvendësimeve, ndërsa kjo mënyrë reklamimi është vlerësuar nga shumë njerëz.
Një faqe në “LinkedIn”, “The Activation”, e ka lavdëruar këtë ide.
“Dikush pati një ide. Vendose logon edhe në fanellën e gjyqtarit të katërt. Pikërisht në zonën e sqetullës. Kështu, sa herë që bëhet një zëvendësim, tabela ngrihet, të dy krahët ngrihen, dhe logoja e ‘Rexonas’ vendoset saktësisht aty ku duhet një logo deodoranti,” shkruan ata.
“Direkt nën sqetulla. Në skenën më të madhe të futbollit. Para gjashtë miliardë njerëzve. Funksionon vetëm përmes veprimit. Ngritja e tabelës është shkaktari. Krahët ngrihen. Vendosja bëhet perfekte”, thuhet tutje.
Ata shtojnë: “E sheh dhe qesh sepse është kaq e dukshme dhe kaq perfekt e sinkronizuar sa nuk mund ta besosh që askush nuk e ka bërë më parë”.
Ndërkohë, gjatë turneut është vënë re edhe një trend tjetër: pothuajse të gjithë lojtarët në fazën e grupeve po përdorin këpucë me ngjyrë rozë të ndezur.
Të gjitha “Nike”, “Adidas” dhe “Puma” kanë zgjedhur rozën si ngjyrën kryesore këtë verë, pas një studimi të Nike që sugjeron se atletët ndihen më të sigurt kur mbajnë ngjyra të ndritshme dhe të guximshme.
Një përfaqësues i “Nike” tha: “Ne kemi dëgjuar vazhdimisht nga atletët dhe konsumatorët, sidomos në momentet e mëdha, se ngjyrat e ndritshme u japin atyre vetëbesim”.
“E kemi filluar nga ideja se cilat janë ngjyrat më të ndritshme që rrisin vetëbesimin, dhe roza është njëra prej tyre”, thotë tutje.
Ai shtoi gjithashtu se roza bie në sy shumë qartë në fushë dhe kontraston me fushën e gjelbër, ndërsa asnjë nga 48 skuadrat nuk përdor fanella rozë në këtë Botëror./