Bekim Qoku, në replikën e tij ndaj fjalimit tim lidhur me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, kërkoi që unë të dorëzoj mandatin e deputetit. Arsyetimi i tij ishte i tillë që mund të kuptohet vetëm nga logjika dhe intelekti që pretendon se e posedon vetë.

Iu përgjigja se reagimi i tij ishte një tragjikomedi, njësoj si vetë propozim-ligji për të cilin po flasim. Fatkeqësia në këtë tragjikomedi është se pjesa tragjike nuk bie mbi ata që e kanë propozuar, por mbi qytetarët, të cilët do të përballen me pasojat e tij. Ndërsa pjesa komike i mbetet VLEN-it dhe vetë Bekim Qokut, të cilët po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i talljes publike për shkak të arsyetimeve dhe justifikimeve që ofrojnë.

Thuhet se njeriu është e vetmja qenie që mund ta humbasë instinktin kur gjendet përballë rrezikut. Kafshët e tjera nuk e humbin atë. Bekim Qoku duket se e ka humbur këtë instinkt politik dhe pikërisht për këtë arsye shpeshherë paraqitet qesharak në qëndrimet e tij.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur kujtojmë se ai kandidoi në Zonën Zgjedhore Nr. 6 dhe, falë votave të qytetarëve tanë nga Gostivari, Tetova, Vrapçishti dhe vendbanime të tjera shqiptare, arriti të bëhet deputet. Sot, po ai person u kërkon përfaqësuesve të këtyre qytetarëve që të dorëzojnë mandatet e tyre. Pikërisht kjo e bën qëndrimin e tij jo vetëm kontradiktor, por edhe qesharak.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume